Erdogan: Ankaraja nuk tregon “asnjë neglizhencë apo hezitim” në mbrojtjen e kufijve dhe hapësirës ajrore

2 Min. Leximi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme ka deklaruar se vendi i tij nuk tregon “asnjë neglizhencë apo hezitim në garantimin e sigurisë së kufijve dhe hapësirës sonë ajrore”, raporton Anadolu.

Duke folur në një aktivitet në Ankara, Erdogan tha se “në një kohë kur përpjekja e Turqisë për paqe në rajon ka qenë plotësisht e qartë që nga dita e parë, askush nuk duhet të mbajë qëndrime të gabuara që minojnë parimet e fqinjësisë dhe vëllazërisë”.

Duke theksuar përpjekjet diplomatike të Turqisë lidhur me krizën në rajon, ai tha: “Ne do të vazhdojmë diplomacinë tonë shumëdimensionale me synimin për të parandaluar derdhjen e mëtejshme të gjakut në rajonin tonë dhe për të siguruar që asnjë person i pafajshëm të mos humbasë jetën”.

Lidhur me incidentin e së mërkurës, kur një municion i lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u neutralizua nga njësitë mbrojtëse të NATO-s, Erdogan tha se Ankaraja tregoi “ndjeshmërinë e saj” dhe dha “paralajmërimet e nevojshme” për të parandaluar përsëritjen e një incidenti të ngjashëm.

“Nëse lind një kërcënim ndaj sigurisë së vendit tonë, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme me kujdesin maksimal dhe në koordinim me aleatët tanë”, tha presidenti turk.

Tensionet janë rritur në Lindjen e Mesme pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit duke filluar nga 28 shkurti, sipas autoriteteve iraniane, duke vrarë më shumë se 900 persona, përfshirë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe më shumë se 165 nxënëse të shkollave fillore.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin dhe objekte të lidhura me SHBA-në në vendet e Gjirit, duke ndërprerë rrugët energjetike.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull