Pronari i prodhuesit amerikan të automjeteve elektrike “Tesla”, Elon Musk tha se është “gati” të shërbejë në kabinet nëse kandidati republikan, Donald Trump fiton në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor, transmeton Anadolu.
Musk publikoi një postim në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA në platformën e mediave sociale X.
Duke postuar një foto të krijuar me inteligjencë artificiale që e përshkruan veten si “ministër”, Musk tha: “Jam gati të shërbej”.
Postimi në fjalë erdhi pas deklaratës së Trumpit për një media se do ta rekomandonte Musk-un si këshilltar në kabinet apo në Shtëpinë e Bardhë nëse fiton zgjedhjet presidenciale.
Ky postim i miliarderit amerikan Musk mori më shumë se 24 milionë shikime.
Trump i dha një intervistë Musk-ut në dhomën e bisedave në platformën X, ku morën pjesë më shumë se 1 milion njerëz më 13 gusht.