Zyrtari i koalicionit VLEN, Muhamed Elmazi, ka reaguar ashpër ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, duke e akuzuar atë për lidhje me klane kriminale dhe me strukturat e BDI-së. Në një status të publikuar në rrjete sociale, Elmazi ka theksuar se reagimi i Arsovskës është i motivuar politikisht dhe se faktet që po dalin në opinion e nervozojnë atë.
“Danella, edhe unë flas me fakte, por duket se pikërisht faktet të acarojnë. E di që i dimë të gjitha lidhjet e tua me Sarajin. A është kjo arsyeja pse je kaq nervoze?”, shkruan Elmazi.
Ai akuzon Arsovskën për bashkëpunim të ngushtë me “të fuqishmit” e BDI-së dhe për përfshirje në një “perandori biznesi” të ndërtuar mbi ndërtime pa leje. Sipas tij, një prej këtyre objekteve i përket mikut dhe partnerit të saj të afërt, Blerim Bexheti.
Elmazi i drejton një sërë pyetjesh publike kryetares së Shkupit:
“A ke pjesë në perandorinë e tij apo thjesht të paguan për të mbajtur konferenca për media? A je e vetëdijshme që dokumentacioni dhe të gjitha lëndët po shkojnë në Prokurori dhe se atje do të zbulohet e vërteta?”
Duke theksuar se qëndrimet e Arsovskës janë të përshkruara nga “gënjeshtra të BDI-së”, Elmazi deklaron se qytetarët do ta kuptojnë shumë shpejt të vërtetën mbi përfshirjen e saj dhe “miqve të saj” në skema të dyshimta.
“Krimi ka adresë dhe ka nënshkrim. Ndërsa ne i kemi dokumentet, do t’i çojmë atje ku e kanë vendin”, përfundon Elmazi.
Ky reagim vjen në një klimë të tensionuar politike mes koalicionit VLEN dhe strukturave të BDI-së në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, ku çështjet e legalizimeve dhe ndërtimit pa leje janë bërë temë e debatit publik.