Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Sarajit, Muhamed Elmazi, ka reaguar ashpër ndaj tentativave të dëshpëruara të kreut aktual të komunës së Sarajit, Iljaz Veseli për të përvetësuar si të veta, projektet të cilat i ka financuar Qeveria dhe koalicioni VLEN.

Konkretisht bëhet fjalë për rikonstruimin e rrugës kryesore dhe rrugicave, ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik në vendbanimin e Llaskarcës, projekt ky i nënshkruar nga zv/kryeministri Izet Mexhiti, për të cilin ekziston edhe dokumente dhe dëshmi.
“Kreu aktual i Komunës së Sarajit duhet të jetë i sinqertë me qytetarët dhe të thotë të vërtetën.

Për rikonstruimin e rrugës kryesore dhe rrugicave, ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik në vendbanimin Llaskarcë, marrëveshja është nënshkruar me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë dhe njëherit ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhitin, në thirrjen e dytë të Qeverisë për financimin e komunave për të cilën flasin si dëshmi dokumentet që po i publikojmë, si dhe fotografia e nënshkrimit të kontratës mes kreut aktual të komunës dhe Izеt Mexhitit.
Ky është vetëm një nga projektet që dëshmon qartë se Qeveria VLEN, si asnjëherë më parë, ka mbështetur komunat pa bërë dallime politike, pavarësisht se kush i udhëheq ato.
Në këtë frymë bashkëpunimi dhe zhvillimi do të vazhdojmë edhe pas fitores së madhe të 19 tetorit, kur banorët e Komunës së Sarajit do të ndjejnë ndryshimin e shumëpritur dhe të merituar”, ka shkruar Muhamet Elmazi.