Eljesa Neziri: “Në shërbimin tuaj deri në frymën e fundit”
Drejtori i Pronësisë Industriale, Eljesa Neziri, njëherësh djali i dëshmorit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Ridvan Neziri, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm dhe emocional për qytetarët, duke theksuar lidhjen e pandashme mes popullit dhe atyre që janë në shërbim të tij.
Në statusin e tij, Neziri shprehet se nuk flet si funksionar, por si biri i këtij vendi, duke theksuar se sakrificat e qytetarëve nuk do të harrohen kurrë. “Jemi këtu falë jush—falë mundit tuaj, sakrificave tuaja, besimit tuaj. Nuk e kemi harruar këtë dhe nuk do ta harrojmë kurrë!”, shkruan ai.
Ai ka dhënë një mesazh të qartë për përkushtimin ndaj qytetarëve, duke theksuar se nuk ka orar, lodhje apo dorëzim kur bëhet fjalë për të ndihmuar popullin. “Nuk ka natë të gjatë kur populli ynë ka nevojë. Nuk ka lodhje kur një familje kërkon ndihmë. Nuk ka dorëzim kur një i ri kërkon një të ardhme më të mirë,” thekson Neziri, duke garantuar se ai dhe ekipi i tij janë në shërbim të qytetarëve 24/7.
Duke e përmbyllur mesazhin e tij, ai premton që do të vazhdojë të ecë përpara bashkë me popullin, pa u ndalur kurrë. “Në shërbimin tuaj deri në frymën e fundit!”, përfundon ai, duke konfirmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e tij për të qëndruar pranë qytetarëve.