Shkup, 9 mars, Zhurnal.mk – Edhe pse kohë krize botërore, Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se do të ketë 17 investime të reja në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të kenë një shumë prej 650 milionë euro dhe të cilat pritet të sigurojnë mbi 5 mijë vende të reja pune. Ndërkohë investimet e paralajmëruara po ashtu nga Micskoski në sektorin e enrgjisë, sipas tij do të arrijnë shifrën 1 miliardë Euro. Por ku do të fokusohen të gjitha këto investime, dhe sa do të pëfitojnë zonat shqiptare!, shkruan “Zhurnal.mk”.
Investime në zonat e lira ekonomike
Edhe pse nuk ka detaje të mjaftueshme dhe informacionet mbahen sekrete, deri sa të ketë një veprim konkret, megjithatë nga të dhënat që ka siguruar “Zhurnal.mk”, të gjitha këto investime kryesisht do të realizohen në zonat e lira ekonomike, edhe atë kryesisht në Zonat 1 dhe 2 në Shkup.
Një pjesë e kompanive të cilat pritet të investojnë janë kompani të cilat tashmë operojnë dhe funkcionojnë në vend dhe dëshirojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre. Ndërkaq, një pjesë tjetër e kompanive, janë investime tërësisht të reja.
Fatkeqësisht, sa i përket zonave të lira ekonomike, “Zhurnal.mk” ka shkruar edhe më parë se nga 14 zona aktuale, vetëm dy prej tyre janë funksionale në zonat e komunave me shumicë shqiptare, edhe atë në Tetovë dhe Kërçovë.
Megjithatë, edhe këto dy zona nuk janë mjaftueshëm të zhvilluara dhe potenciali i tyre për investime është shfrytëzuar minimalisht.
Këto investime në pjesën e eksportit pritet ta rrisin atë për rreth 2% të BPV-së, konkretisht në vlerë prej rreth 400 milionë dollarë eksport shtesë në fillim, e që do të arrinte deri në një miliard euro në fund të vitit.
Investime në energjetikë
Një investim serioz që është në fazën finale është edhe ndërtimi i parkut me erë, investim i kompanisë Alkazar. Për këtë investim fillimisht pritet që vetëm këtë vit të kemi 150 milionë dollarë të reja. Ndërtimi do të zgjasë disa vite, ndërsa funksionaliteti i plotë pritet në fillim të vitit 2028. Energjia e prodhuar do të kyçet gradualisht në rrjet edhe gjatë vitit 2027, por fuqinë e tij të plotë, 100%, ky projekt pirtet ta ketë në fillim të vitit 2029.
Qeveria ka nënshkruar marrëveshje edhe me kompaninë “Aksa” për ndërtimin e dy, respektivisht tre centraleve kogjenerative me gaz, një në Shkup, një në mes të Gostivarit dhe Tetovës dhe një potencialisht pasi të dërgohet gazi drejt Kërçovës, me transformimin e TEC Osllomej.
Me këtë projekt, përveç turbinës me avull edhe një turbinë me gaz, do të fitohet konfigurimi i plotë, i cili është një investim i ri prej një miliard dollarësh dhe i cili do të jetë i rëndësishëm për qytetarët. Ky projekt njëkohësisht do të nënkuptojë edhe ngrohje qendrore për pjesë të qytetit të Shkupit që aktualisht nuk kanë një lloj të tillë ngrohjeje, gjë që është shumë e rëndësishme sepse do të ndikojmë edhe në mjedisin jetësor, por edhe në parametra të tjerë.
Në Shkup tashmë po punohet për këtë investim, Komuna e Kisella Vodës dhe Qyteti i Shkupit, së bashku me Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, tashmë po punojnë në këtë projekt së bashku me EMV.
Maqedonia e Veriut me rritje ekonomike gati sa Irlanda e Polonia
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Maqedonia e Veriut e mbylli vitin 2025 me një rritje reale ekonomike prej 3.5%, gjë që e vendos atë midis pesë vendeve të para në Evropë, menjëherë pas Irlandës, Maltës, Qipros dhe Polonisë, dhe përpara të gjitha ekonomive të tjera në rajon.
Për shembull, Serbia shënon rritje reale prej rreth dy përqind, ndërsa i Maqedonisë së Veriut është tre e gjysmë përqind, që është 75% më shumë. Rritja nominale e ekonomisë maqedonase tejkaloi 8 përqind, duke arritur në 8.2%, që paraqet rritjen më të lartë në histori.
Për vitin e ardhshëm, parashikohet një deficit buxhetor nën tre e gjysmë përqind dhe rritje reale ekonomike prej rreth katër përqind.
Edhe pse në letër dhe në statistika këto të dhëna duken shumë premtuese dhe janë për admirim, megjithatë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e ndjejnë çdo ditë e më shumë krizën ekonomike dhe kanë standard më të ulët jetësor se çdo shtet tjetër evropian. Rrogat më të ulëta i ka Maqedonia e Veriut dhe këtu shteti duhet ndërmerr diçka për të avancuar këtë pjesë.
Proporcionaliteti në ndarje buxheti dhe investime kapitale dhe të huaja
Arsyetimet e qeverive të kaluara për mungesë aftësimi të zonave industriale në hapësiratë me shumicë shqiptare për të thithur investimet e huaja direkt (ang. FDI) po vazhdojnë edhe tash në qeverinë aktuale.
Partitë shqiptare në qeveri duhet që përveç pjesës politike, të kërkojnë aq sa ndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit e të investimeve kapitale, edhe për investimet e huaja direkte, të cilat do të gjeneronin prodhim shtesë e paralelisht edhe punësime të reja.
Për t’u arritur kjo, duhet që të përshpejtohet përgatitja dhe aftësimi i ploté i këtyre zonave për të pranuar ashtu siç duhet investitorët të huaj.
Menjëherë pas kësaj, partitë shqiptare në pushtet mbetet qé të bëjnë pjesén e dyté té punës sé tyre e të orientojnë kompanitë e huaja të interesuara për të investuar nëpër këto zona, pra duhet t’iu sugjerohen zonat ekonomike jashtë Shkupit, me qëllim të zhvillimit proporcional ekonomik në gjithë teritorin e vendit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Vetëm në këtë mënyrë do të ketë proporcionalitet në vende të reja pune por edhe kontribut direkt në ekonominë vendore, e në të njëjtën kohë edhe ekuilibër nëpër krejt territorin e Maqedoninë e Veriut në zhvillim ekonomiko-social, pra edhe të fuqisë blerëse të qyetarëve të vendit.

