Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në një prononcim për media deklaroi se masat për uljen e çmimeve kanë filluar të japin rezultate. Ai tha se sipas të dhënave për muajin prill, çmimet e ushqimeve dhe pijeve kanë shënuar ulje.
“Informacionet që kemi tregojnë se në muajin prill ka pasur një rënie të çmimeve në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve. Kjo dëshmon se masat që kemi ndërmarrë kanë dhënë efekt”, tha Durmishi.
Ai njoftoi se në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, do të kryhen kontrolle në terren për të monitoruar situatën. Ministri paralajmëroi se në rast të rritjeve të padrejta të çmimeve nga ana e tregtarëve, do të ndërmerren masa të reja dhe më rigoroze.
“Nëse konstatojmë rritje të pajustifikuara të çmimeve, do të reagojmë menjëherë me masa të reja. Tregtarët duhet të respektojnë rregullat, përndryshe do të përballen me masa më të ashpra,” theksoi Durmishi.