Në seancën e sotme qeveritare, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, u miratua Plani Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025. Ky plan ka për qëllim përfshirjen më të madhe dhe më cilësore të personave të papunë në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, bëri të ditur se për këtë vit janë ndarë mbi 2.5 miliardë denarë, përkatësisht 40 milionë euro, për masat e punësimit, një shumë rekorde që përfaqëson një rritje prej 7.5 milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas ministrit Durmishi, Planin Operativ do ta përfitojnë gjithsej 16.507 persona, duke ofruar mbështetje konkrete dhe të drejtpërdrejtë për të papunët, si dhe duke përmirësuar ofertën e fuqisë punëtore për bizneset.
“Kjo është një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për të përmirësuar tregun e punës dhe për të adresuar nevojat reale të qytetarëve dhe sektorit privat”, theksoi Durmishi.