Dhjetëra të mitur në Pollog janë përfshirë në raste që lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike gjatë pesë viteve të fundit (2021-2025), ndërsa institucionet kanë shqiptuar masa që variojnë nga qortimet deri te dërgimi në qendra përmirësuese. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk nga policia, gjykatat dhe qendra sociale tregojnë se fenomeni nuk mbetet vetëm në nivel dyshimesh apo rrëfimesh të nxënësve dhe prindërve, por është evidentuar edhe në statistikat zyrtare. Përkundër shqetësimit gjithnjë e në rritje, institucionet vazhdojnë të mos kenë evidenca të plota për përdorimin e drogës nga nxënësit, ndërsa ekspertët dhe qytetarët alarmojnë se reagimi mbetet i pamjaftueshëm.
Rrëfimi i një ish-përdoruesi të drogës nga Tetova dhe dëshmitë e nxënësve e prindërve zbulojnë realitet shqetësues për përdorimin e lëndëve narkotike në shkollat e mesme të Pollogut. Anketa e Portalb.mk dhe deklaratat e të intervistuarve treguan për një fenomen që po perceptohet si gjithnjë e më i përhapur dhe i normalizuar. Disa nga këto raste madje janë regjistruar edhe në institucionet shtetërore.
Çfarë thotë Kodi Penal?
Përdorimi i lëndëve narkotike në Maqedoninë e Veriut është i dënueshëm sipas Kodit Penal, edhe atë:
- Neni 215: Prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
- Neni 216: Mundësimi i përdorimit të drogave narkotike.
Këto dy nene parashohin dënime të ndryshme me burg si dhe gjoba në para, varësisht rrethanave.
MPB-ja evidentoi 77 raste për pesë vite te të miturit
Rajoni i Pollogut mbulohet nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë nën të cilin funksionon edhe Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar.
Nga SPB Tetovë treguan për Portalb.mk se nga viti 2021-2025, janë evidentuar gjithsej 77 raste ku të miturit kanë qenë përdorues të drogave narkotike dhe substancave psikotrope (TE-54 dhe GV-23).
“Nga të cilat nga ana e SPB Tetovë dhe DPB Gostivar deri te PTHP Tetovë dhe Gostivar janë dorëzuar 20 (TE-4 dhe GV-16) kallëzime penale kundër 24 (TE-7 dhe GV-17) të miturve, 5 (GV) raporte të veçanta kundër 6 të miturve dhe 54 (TE-52 dhe GV-2) Kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 54 shkelësve – personave të mitur”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Nga SPB Tetovë dhanë sqarime për rastet në secilin vit, edhe atë si vijon.
Në vitin 2021 janë dorëzuar 9 (GV) kallëzime penale kundër 10 të miturve për veprën penale të kryer “Prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” i paraparë sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së dhe 3 (TE) kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 4 të miturve sipas nenit 20 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.
Në vitin 2022 janë dorëzuar 2 kallëzime penale kundër 2 të miturve për veprën penale të kryer “Prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” i paraparë sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së, është dorëzuar 1 raport i veçantë kundër 1 të mituri për vepër penale të kryer sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së dhe janë dorëzuar 9 (TE-8 dhe GV-1) kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 11 (TE-10 dhe GV-1) të miturve sipas nenit 20 të LKRQP.
Në vitin 2023 është dorëzuar 1 (TE) kallëzim penal kundër 4 të miturve, 2 (GV) raporte të veçanta kundër 3 të miturve për veprën penale të kryer “Prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” i paraparë sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së, dhe 7 (TE) kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 8 të miturve sipas nenit 20 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.
Në vitin 2024 janë dorëzuar 6 (TE-2 dhe GV-4) kallëzime penale kundër 6 (TE-2 dhe GV-4) të miturve për veprën penale të kryer “Prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” i paraparë sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së dhe janë dorëzuar 20 (TE-19 dhe GV-1) kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 25 (TE-24 dhe GV-1) të miturve sipas nenit 20 të LKRQP.
Në vitin 2025 janë dorëzuar 2 (TE-1 dhe GV-1) kallëzime penale kundër 2 të miturve për veprën penale të kryer “Prodhimi dhe lëshimi në qarkullim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekurzorëve” i paraparë sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së, janë dorëzuar 2 (GV) raporte të veçanta kundër 2 të miturve për vepër penale të kryer sipas nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së dhe 5 (TE) kërkesa për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër 6 të miturve sipas nenit 20 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.
Prokuroria nuk na siguroi të dhëna
Lidhur me këto raste, nga Prokuroria Themelore Publike kërkuam të dhëna të detajuara se sa është numri i lëndëve të regjistruara në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë dhe sa në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar (për periudhën 2021–2025) për përdorim të lëndëve narkotike sipas neneve 215 dhe 216 të Kodit Penal, të cilat përfshijnë të rinj – nxënës të shkollave të mesme të moshës 15 deri në 18 vjeç (të mitur).
Por nga Prokuroria nuk arritën të na sigurojnë të dhëna, shkurt na thanë se nuk mbajnë evidencë të veçantë për rastet e përdorimit të narkotikëve për rastet që kanë ndodhur në shkolla.
Gjykatat në Tetovë dhe Gostivar me masa edukative ndaj të miturve përdorues të drogës
Në Gjykatën Themelore të Tetovës prej vitit 2021–2025 ka 10 vendime për fëmijë të cilët kanë kryer vepër penale nga neni 215 i Kodit Penal, të gjithëve u është shqiptuar masë edukative.
“3 qortim, 2 mbikëqyrje nga Qendra për Punë Sociale, 3 dërgim në një qendër përmirësuese për fëmijë, 1 mbikëqyrje nga prindërit/adoptuesit dhe 1 ndërprerje”, thanë nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.
Na kjo Gjykatë na njoftuan se për periudhën 2021-2025, vendime sipas Nenit 216 nuk ka.
Ndërsa nga Gjykata Themelore Gostivar na njoftuan se në periudhën 2021–2025 gjithsej ka 25 lëndë sipas neneve 215 dhe 216.
“Janë shqiptuar këto masa/dënime: Dërgim në shtëpi edukativo-korrektuese – 1 fëmijë, mbikëqyrje e shtuar nga prindi/kujdestari – 5 fëmijë, qortim – 11 persona, pushim i procedurës – 6 fëmijë, ndërprerje e procedurës – 2 fëmijë”, thanë nga Gjykata e Gostivarit për Portalb.mk.
47 raste në Qendrën Sociale Tetovë, heshtje në Gostivar
Në evidencën e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, për periudhën 2021–2025 janë evidentuar 47 fëmijë sipas nenit 215.
“Qendra për Punë Sociale Tetovë ka ndërmarrë masa dhe aktivitete, ku është ofruar ndihmë dhe mbështetje psiko-sociale, si dhe biseda këshilluese, varësisht nga institucioni që ka dërguar njoftimin. Gjithashtu është realizuar bashkëpunim me institucione të tjera kompetente dhe është bërë monitorimi i gjendjes së fëmijës”, thanë nga Qendra Sociale Tetovë për Portalb.mk.
Qendra për Punë Sociale në Gostivar nuk na dërgoi të dhëna, pavarësisht se i kontaktuam disa herë.
Të dhënat e mbledhura nga institucionet tregojnë se përdorimi i lëndëve narkotike nga të miturit në rajonin e Pollogut nuk është problem i izoluar, por i pranishëm dhe i dokumentuar në disa nivele të sistemit.
Megjithatë, mungesa e statistikave të unifikuara dhe koordinimi i kufizuar ndërinstitucional e vështirëson krijimin e një pasqyre të plotë.

