Drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka njoftuar sot përmes një deklarate publike për punësimin e 35 të rinjve me kontrata të përhershme, duke e cilësuar këtë si një hap domethënës drejt forcimit të shërbimit postar në vend.
“Sot, me krenari mbyllim një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin tonë për një Postë më efikase dhe më afër qytetarëve,” ka theksuar Kurtishi. Ai shtoi se këta 35 të punësuar të rinj përfaqësojnë jo vetëm një zgjerim të stafit, por edhe 35 familje me më shumë shpresë dhe të ardhme të sigurt.
Kurtishi nënvizoi se procesi po zhvillohet me përkushtim dhe dinjitet, pa zhurmë të panevojshme, duke i qëndruar besnik filozofisë së shërbimit qytetar dhe përmbushjes së premtimeve me veprime konkrete.
“Mirë se erdhët në misionin tonë — në shërbim të qytetarëve, me qetësi, dashuri dhe përkushtim të palëkundur. Ne nuk ndalemi!” përfundoi ai, duke ritheksuar angazhimin e institucionit për modernizim dhe zhvillim të qëndrueshëm në të gjithë territorin e vendit.