Dorëheqje kolektive e Kryesisë së ASH-së, Taravari drejton partinë deri në Kuvend dhe Kongres

1 Min. Leximi

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët ka dhënë dorëheqje kolektive, pas një debati të cilësuar si konstruktiv dhe demokratik, në prag të Kuvendit dhe Kongresit partiak.

Nga ASH-ja bëjnë të ditur se vendimi është marrë njëzëri, me qëllim hapjen e rrugës për freski organizative, përfshirjen e kuadrove të reja dhe ndërmarrjen e reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse brenda partisë. Sipas njoftimit, dorëheqja vjen edhe si reflektim ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale.

Deri në mbajtjen e Kuvendit dhe Kongresit partiak, drejtimin e partisë do ta ushtrojë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ndërsa Kuvendi i Partisë do t’i konstatojë zyrtarisht dorëheqjet e Kryesisë.
Sipas afateve statutare, Kuvendi i Partisë pritet të mbahet në mesin e muajit shkurt, ndërsa Kongresi i ASH-së më së voni deri në vjeshtën e këtij viti.

Aleanca për Shqiptarët thekson se mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, reformimit të vazhdueshëm dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të shqiptarëve.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull