Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, deklaroi sot se shumica në Këshillin e Komunës do të pasqyrojë përbërjen e shumicës që aktualisht qeveris në nivel qendror.
„Është më se e qartë se shumica që është në pushtetin qendror do të përfaqësohet edhe në nivel lokal. Për detajet, opinioni do të njoftohet më vonë,“ tha Dimitrievski.
Në nivel shtetëror, koalicioni qeverisës përbëhet nga Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë, VMRO-DPMNE dhe VLEN, por ende mbetet e paqartë nëse këshilltarët e DPSM-së do t’i bashkohen këtij blloku. Edhe pse ata janë pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së në nivel qendror, në zgjedhjet lokale dolën me listën e tyre të pavarur.
Sa i përket postit të kryetarit të Këshillit, Dimitrievski nuk deshi të zbulojë hollësi:
„Nuk ka pasur marrëveshje për ndarjen e posteve gjatë periudhës parazgjedhore, as koalicione parazgjedhore. Ka pasur mbështetje të hapur nga ZNAM për kandidatët e VMRO-DPMNE-së në mbarë vendin, po ashtu edhe nga VLEN. Si kandidat i ZNAM-it, mora mbështetjen e partnerëve tanë në nivel qendror – VMRO-DPMNE dhe VLEN. Bisedimet për ndarjen e funksioneve do të zhvillohen në ditët në vijim. Kush do të jetë kryetar i ardhshëm i Këshillit, do ta dimë në seancën konstituive,“ theksoi kryetari.
Sot, Komisioni Komunal Zgjedhor i Kumanovës i dorëzoi vërtetimet kryetarit Maksim Dimitrievski dhe 31 anëtarëve të rinj të Këshillit.

