muaji shtator i këtij viti, sipas marrëveshjes mes ndërmarrjeve komunale dhe pushteteve lokale të Dibrës dhe Mavrovës dhe Rostushës, do të ulet sasia e mbeturinave që do të vendoset nga Reka në deponinë e Dibrës
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 gusht – Dibra dhe komunat përreth, Qendër Zhupa dhe Mavrova dhe Rostusha, të cilat kanë probleme me hapësirat për një deponi rajonale, shpëtimin e shohin në ndërtimin e Deponisë Rajonale, të paraparë nga pushteti qendror në Novaci, afër Manastirit.
Deponia aktuale e Dibrës, e cila gjendet në afërsi të rrugës Dibër–Vendkalimi Kufitar Bllatë, fillon të jetë e ngushtë për të pranuar sasitë e mbeturinave që vijnë nga qyteti, por edhe nga rajoni më i gjerë. Sipas Drejtorisë së Ndërmarrjes Komunale “Standardi”, e cila menaxhon me mbeturinat, për shkak të kapacitetit të hapësirës së deponisë, do të ulet sasia e mbeturinave që sillen këtu nga rajoni i Rekës së Poshtme, nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës.
Nga muaji shtator i këtij viti, sipas marrëveshjes mes ndërmarrjeve komunale dhe pushteteve lokale të Dibrës dhe Mavrovës dhe Rostushës, do të ulet sasia e mbeturinave që do të vendoset nga Reka në deponinë e Dibrës.
Drejtori i Ndërmarrjes Komunale Publike “Standardi”, Nertil Osmani, thotë se do të pranohen në deponi 10 kamionë me mbeturina në muaj. “Gjatë sezonit veror, në deponinë e Dibrës nga rajoni i Rekës së Poshtme silleshin 25 kamionë me mbeturina në muaj, kurse tani, nga muaji shtator, kjo sasi zvogëlohet në vetëm 10 kamionë”, tha për gazetën KOHA drejtori Osmani.
Po sipas tij, ndërmarrja për rregullimin e deponisë ka aktivitete të përditshme, por qëndron edhe fakti se hapësira e deponisë tashmë po bëhet e ngushtë, meqë ka pranuar mbeturina për disa dekada.
Prandaj, pushteti vendor dhe ai qendror kanë përcaktuar edhe zgjidhjen kryesore, që ka të bëjë me vendosjen e mbeturinave të Dibrës në deponinë rajonale që do të ndërtohet në Novaci të Manastirit, në përputhje me përcaktimet qeveritare për grumbullimin e mbeturinave në vendin tonë. Viteve të fundit, ndërmarrja publike e cila menaxhon me mbeturinat e Dibrës dhe rajonit ka pasur shumë probleme me mirëmbajtjen e deponisë. Mbeturinat janë përfshirë shumë herë nga zjarri, edhe pse ka pasur roje, ndërsa disa vite më parë është ndërtuar edhe muri i deponisë.
Probleme ka pasur edhe nga numri i madh i qenve endacakë që ndodheshin në deponi, si dhe nga pronarët e tokave afër deponisë, të cilët thonin se dëmtohej toka pjellore nga ujërat nëntokësore të deponisë.
Sipas informatave që janë prezantuar nga pushteti vendor në Dibër, Dibra do të ketë një stacion të përkohshëm vetëm për grumbullimin e mbeturinave, e pastaj nga stacioni i grumbullimit mbeturinat do të dërgohen në deponinë rajonale në Novaci. Stacioni lokal do të ndërtohet në afërsi të lokacionit të deponisë së sotme. (koha.mk)

