Akademiku dhe profesori universitar, Izet Zeqiri, mori pjesë në Konferencën e 9-të Shkencore të Migrimit në UNT, ku prezantoi punimin me temën Politikat shtetërore ndaj diasporës dhe roli i tyre në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

Ai theksoi se nga rreth 700 mijë qytetarë të emigruar, të cilët dërgojnë mbi 2 miliardë euro remitenca në vit, mbahet një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë së vendit. Megjithatë, remitencat po shënojnë rënie krahasuar me vitin e kaluar, kur kapnin vlerën 2 miliardë e 270 milionë euro. Këtë vit pritet të jenë më të ulëta për shkak të situatës ekonomike në vendet ku jetojnë emigrantët, si rritja e kostos së jetesës, ngadalësimi ekonomik dhe pasiguria financiare që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e tyre.
Zeqiri përmendi edhe një faktor tjetër të rëndësishëm: gjenerata e dytë e emigrantëve, e cila është më e integruar në vendet pritëse dhe ruan lidhje më të dobëta financiare me vendlindjen. Kjo gjeneratë është më e fokusuar te investimet dhe konsumi në vendin ku jeton.
Sipas rezultateve të punimit, edhe pse remitencat mbeten burim i fuqishëm financiar, mungesa e një koordinimi të mirë ndërinstitucional dhe e politikave stimuluese e kufizon potencialin zhvillimor të diasporës.
Ai nënvizoi nevojën që shteti të ndërtojë një model më aktiv të bashkëpunimit me diasporën, për të nxitur investimet produktive, sipërmarrjen dhe kthimin e kapitalit njerëzor, si një rrugë e domosdoshme drejt rritjes ekonomike të vendit.

