Diaspora dërgoi mbi 651 milionë euro në Kosovë brenda gjashtë muajve

4 Min. Leximi

Mbi 651 milionë euro ka dërguar diaspora në Kosovë në periudhën janar-qershor të këtij viti. Vlerë kjo mbi 21 milionë euro më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se rritja e remitencave në vendin tonë vjen si pasojë e ngritjes së inflacionit, rrjedhimisht çmimeve të larta, që ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes ekonomike të familjeve në Kosovë, raporton KosovaPress. 

- Advertisement -

Ata thonë se ngritja e vlerës së remitencave është tregues jo i mirë për ekonominë e vendit.

- Advertisement -

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu vlerëson se remitancat e diasporës janë jetike për stabilitetin ekonomik dhe social në Kosovë. Ai thekson se problemi kryesor është se këto para shpenzohen kryesisht për konsum, për blerje mallrash dhe shërbimesh, e jo për investime produktive.

 

Sipas tij, rritja e remitancave në gjashtëmujorin e këtij viti, krahasuar me atë të 2024-ës, nuk duhet parë vetëm si shenjë pozitive, por si pasojë e disa faktorëve siç është rritja së inflacionit në Kosovë dhe Evropë, si dhe shtimit të nevojës për ndihmë sociale.

 

Këto kushte, sipas Gërxhaliut, kanë bërë që diaspora të dërgojë më shumë para për të ruajtur stabilitetin social dhe për të ndihmuar familjet e tyre në Kosovë.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaPress, potencon se rritja enorme e çmimeve dhe shtimi i kërkesës për ndihmë sociale janë faktorët kryesorë që kanë rritur mbështetjen e diasporës për familjet në Kosovë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), dërguar për KosovaPress, gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, shuma e dërgesave nga diaspora ka arritur në 651.7 milionë euro, ndërsa të dhënat për muajin qershor janë ende paraprake.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur dërgesat kishin arritur në 630.1 milionë euro, këtë vit është shënuar një rritje prej 21.6 milionë eurosh, shkruan KosovaPress.

 

“Për periudhën janar-qershor të këtij viti, shuma e dërgesave e shënuar është 651.7 milionë euro (të dhënat e muajit qershor janë preliminare). Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është shënuar një rritje për 21.6 milionë euro. Dërgesat për periudhën janar-qershor 2024 janë 630.1 milionë”, thonë nga BQK-ja në përgjigjen e tyre me shkrim. 

 

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxhiri vlerëson se rritja e remitancave nuk është shenjë e përmirësimit ekonomik, por përkundrazi, tregon përkeqësimin e gjendjes në Kosovë.

Sipas tij, të gjitha treguesit ekonomikë nga viti 2021 e deri më sot – inflacioni, deficiti tregtar dhe rritja e çmimeve të produkteve esenciale – dëshmojnë se situata ekonomike është e rënduar.

Në një prononcim për KosovaPress, Muhaxheri thotë se remitancat pritet të rriten edhe vitin e ardhshëm, jo si rezultat i zhvillimit, por si pasojë e nevojës për mbijetesë.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Florin Aliu thotë për KosovaPress, se remitancat vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, duke mbajtur në këmbë kërkesën agregate dhe duke siguruar mirëqenien e shumë familjeve.

Sipas tij, pyetja kryesore është çfarë ndodh nëse remitancat bien, pasi një rënie do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Vlera e remitencave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ishin afro 633 milionë euro. Ndërkaq, në periudhën e njëjtë të vitit 2022, diaspora kishte dërguar në Kosovë mbi 555 milionë euro.

/Kosovapress/

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull