Gjatë ditës së sotme, në pikëkalimin kufitar Merdarë, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të modifikuar brenda një automjeti që po hynte në territorin e Kosovës, përcjell TV21. Dogana e Kosovës njofton se automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar bazuar në analizën e riskut dhe, pas skanimit me rreze X, u identifikuan dyshime për një hapësirë të improvizuar.
“Sot, më 24 shkurt 2026, në pikëkalimin kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative. Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore”, thonë nga Dogana.
Deshi të hyjë në Kosovë me 1 milion euro të fshehura brenda automjetit, zbulohet nga Dogana!

Ndani këtë artikull
