Deputetja Haxhiu: Zëri i studentëve është thirrje për drejtësi, jo mundësi për përfitime politike

2 Min. Leximi

Deputetja e VLEN, Feride Haxhiu ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me çështjet e studentëve dhe protestat e fundit, duke theksuar se kërkesat e të rinjve janë legjitime dhe nuk duhet të keqpërdoren për interesa politike.

Ajo vlerëson se për më shumë se dy dekada prioritetet institucionale kanë qenë të shtrembëruara, me fokus në interesa familjare dhe klienteliste, ndërsa çështje kyçe si gjuha dhe të drejtat e studentëve kanë mbetur në margjinë.

Sipas Haxhiut, problemet e studentëve jo vetëm që nuk janë zgjidhur ndër vite, por në shumë raste janë thelluar – duke përfshirë kushtet bazë të studimit, cilësinë e arsimit dhe barazinë në trajtim.

“Është e papranueshme që sot, kur studentët kërkojnë të drejtat e tyre me zë të lartë, dikush të përpiqet të përfitojë politikisht nga një situatë që vetë e ka krijuar,” thekson ajo, duke shtuar se zëri i studentëve përfaqëson një thirrje për drejtësi, barazi dhe përgjegjësi.

Në fund, deputetja apelon për hapa konkretë dhe zgjidhje të qëndrueshme, të bazuara në ligj dhe në nevojat reale të studentëve, duke nënvizuar se mbështetja ndaj tyre nuk duhet të jetë simbolike, por thelbësore për ndërtimin e një sistemi arsimor të drejtë dhe gjithëpërfshirës./Zyrtare.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull