Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) vlerëson se propozim-buxheti për vitin 2025 është jorealist, jozhvillues, pa vizion dhe kreativitet, prandaj kanë dorëzuar 200 amendamente që synojnë përmirësimin e politikave kyçe fiskale, transmeton Portalb.mk.
“Ky buxhet do të jetë gjenerator i borxheve të reja dhe një vit i humbur për ekonominë dhe për qytetarët”, tha në konferencën e sotme për media, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas tij, propozim-buxheti është bërë për të përmbushur nevojat e qeverisë, jo të qytetarëve.
“Me një rritje të PBB-së prej 3.7 përqind që parashikon Qeveria, e cila nuk ka shanse të realizohet, ky buxhet është një përpjekje tjetër për të mashtruar opinionin. Qeveria me propozimin e parë të buxhetit po vepron në mënyrë të kundërligjshme, me një deficit prej 4 përqind të PBB-së, në kundërshtim me kufijtë ligjorë që lejojnë maksimalisht 3 përqind”, tha Filipçe.
Filipçe tha se projeksionet e Bankës Popullore dhe të Bankës Botërore janë nën këto shifra, gjë që e bën të qartë se buxheti nuk do të sjellë rritje reale ekonomike, por rritje të borxhit publik.
“Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Qeveria është e gatshme t’i obligojë qytetarët për tri gjeneratat e ardhshme, pa krijuar zhvillim”, nënvizoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së kritikoi Qeverinë për rritjen e shpenzimeve joproduktive dhe për zvogëlimin e investimeve kapitale në sektorët kyç si shëndetësia dhe arsimi.
Sipas Filipçes, investimet kapitale në propozim-buxhet tregojnë mungesë të plotë ideje, ku Qeveria, siç tha ai, nuk ka paraparë mjete të konsiderueshme për modernizimin e kapaciteteve energjetike, gazifikimin apo projektet për efikasitet energjetik.
Filipçe theksoi se LSDM-ja nuk do të votojë për një buxhet të tillë, duke shtuar se kanë dorëzuar 200 amendamente përmes të cilave propozojnë rritje të pagave në sektorin publik, veçanërisht në arsim, polici dhe zjarrfikës, si dhe investime në mjete të avancuara teknologjike për të përmirësuar sigurinë e qytetarëve.
LSDM me amendamentet propozon ndarjen e mjeteve për rritje të pagave në sektorin publik, për mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, në polici dhe për zjarrfikësit.
Në amendamentet që janë dorëzuar, tha Filipçe, ka edhe për ato në sektorin e shëndetësisë që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve mjekësore, si dhe investimet në pajisje të reja dhe trajnimin e stafit mjekësor.
Përveç kësaj, tha Filipçe, ndryshimet në seksionin e energjisë dhe mjedisit kanë për qëllim zhvillimin ekologjik dhe të qëndrueshëm, duke përfshirë subvencionet për automjetet elektrike dhe mbështetjen për projektet e prodhimit të hidrogjenit.
Amendamentet, tha Filipçe, janë dorëzuar pas analizave serioze nga ekspertët të cilët kanë vite që punojnë në ato sektorë dhe ka një arsyetim solid për të gjitha amendamentet e paraqitura.
“Ndryshimet janë të përmasave bazuar në nevojat e njerëzve që punojnë në ata sektorë. Ka ndryshime dhe investime në ato pjesë që qeveria nuk i ka paraparë, para shtesë për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve ku edhe qeveria nuk ka paraparë mjete”, tha ai.
Filipçe pret që qeveria të tregojë vullnet të mirë dhe t’i mbështesë ndryshimet sepse ato janë bërë për të mirën e qytetarëve dhe ekonomisë.
“Sinqerisht shpresoj se qeveria do të ketë një qasje konstruktive ndaj propozimeve tona. Besoj se do të gjejnë vullnet të mirë dhe se me arsyetimin e duhur që do t’i propozojmë me të gjitha amendamentet do t’i mbështesin”, shtoi Filipçe.
Për projekt-buxhetin ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, nga ku thonë se i njëjti është diskriminues.
“E kemi të domosdoshme të shprehim keqardhje dhe zhgënjim të thellë, nga ato që premtonin konsolidim fiskal pas krijimit të qeverisë pa legjitimitet etnik. Në propozim buxhetin e tyre është evidente se, buxheti për vitin 2025 nuk i respekton rregullat fiskale tani më te definuara me ligj! Për të qenë më qartë për opinionin e gjërë, në propozim buxhetin e vitit 2025 ka të ardhura dhe shpenzime më të larta se buxheti i vitit 2024, ne strukturen e buxhetit shpenzimet kapitale jane më të ulëta (12.6% krahasuar me 13.1%) dhe ka deficit më të lartë në krahasim me buxhetin fillestar për vitin 2024 (flasim për buxhetin e vitit 2024 para rebalancit nga qeveria pa legjitimitet etnik, kur u rrit ndjeshëm deficiti buxhetor dhe u ulën mejtet për projekte kapitale dhe strategjikepër vitin 2024)”, thonë nga BDI.
sot përmes Konferencës për media ka dëshmuar jokapacitetin dhe fjalët boshe të koalicionit qeveritar pa legjitemitet etnik, sidomos të partnerit shqiptar, i cili edhe një hëre dëshmoji se është aty vetëm për interesa personale, pa asnjë kapacitet të ketë ndikim në vendimmarrje, e kësaj rradhe tek dokumenti esencial i cili definon të gjitha rrjedhat financiare, ekonomike por edhe sociale të një shteti.
Ndryshe, debati i komisionit për Propozim-Buxhetin për vitin 2025 në Kuvend do të fillojë nesër, më 14 nëntor, ndërsa seanca plenare për miratimin e tij pritet të caktohet në javën e dytë të dhjetorit.