Demiri: Uji i pijshëm, infrastruktura dhe arsimi prioritete absolute për Vrapçishtin

3 Min. Leximi

Kandidati për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, në emisionin ON TIME në TV KOHA, ka shpalosur prioritetet kryesore të programit të tij, duke theksuar se disa probleme duhet t’i ngelin historisë.
“Problemet kryesore dhe kyçe duhet t’i ngelin historisë, siç është uji për pije dhe rrjeti i ujësjellësit, të rregullohet çështja e infrastrukturës dhe çështje të tjera që kanë simbolikë jetike për qytetarët”, deklaroi Demiri, duke shtuar se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe arsimit dhe kulturës.
“Pa i anashkaluar pjesën e arsimit, pjesën e kulturës dhe sektorët që janë me interes shoqëror, nuk mund të flasim për zhvillim real të komunës”, theksoi ai.
Një nga premtimet konkrete lidhet me infrastrukturën rrugore në fshatin Kalishtë. Sipas Demirit, kjo është një kërkesë e kahmotshme e banorëve, përfshirë edhe mërgatën.
“Është një premtim dhe një kërkesë e kahmotshme e fshatit Kalishtë. Të gjithë banorët, edhe ata që jetojnë këtu edhe ata në mërgatë, në çdo takim e ngritin çështjen e kësaj rruge, sepse është në interes të veçantë për fshatin”, tha ai.
Demiri shprehu bindjen se projekti do të realizohet që në fillim të mandatit: “Unë besoj dhe shpresoj se në mandatin tonë, si projekt të parë, do ta kalojmë rrugën e Kalishtit. Ka edhe dy thirrje nga Qeveria dhe me mbështetje të Ministrisë së Transportit këtë rrugë e bëjmë realitet.”
Ai përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore që prekin disa fshatra të komunës.
“Rrugën e fshatit Gjurgjevishtë dhe të Llumnicës do t’i realizojmë që edhe ata të kenë qasje sa më efikase dhe sa më të shpejtë, dhe të mos trajtohen si periferi, por si pjesë përbërëse e komunës sonë”, u shpreh Demiri, duke shtuar se vëmendja do të shtrihet edhe në Gallatë dhe Zubovcë.

Demiri njoftoi edhe për një investim konkret që tashmë ka nisur në Dobridoll.

“Sot sapo e filluam një investim në Dobridoll, pjesë e shkollës fillore ‘Sali Lisi’, ku me mbështetje të Ministrisë së Sportit kanë filluar punimet për një fushë sportive multifunksionale, në ambient të hapur”, deklaroi kandidati, duke e cilësuar projektin si investim në rini dhe komunitet.
Sipas Demirit, këto projekte janë dëshmi se programi i tij fokusohet në zgjidhje konkrete dhe zhvillim të barabartë për të gjitha vendbanimet e Komunës së Vrapçishtit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull