Lideri i Aleancës për Shqiptarë – VLEN, Arben Taravari nëpërmjet një shkrimi në Facebook është deklaruar për zhvillimin e fundit në vend – debatin mbi Ligjin për gjuhën shqipe, transmeton TV21. Taravari ka akuzuar BDI-në se për shkak se nuk është mësuar në opozitë, synon të nxisë ndasi etnike.
Debatin mbi shqipen e ka cilësuar se sensitiv, mjet nëpërmjet të cilit siç vlerëson, Levica dhe BDI synojnë t’i kthehen kartës së nacionalitetit.
“E pamësuar në opozitë por sidomos e frikësuar nga ajo që i pret, tani nuk lënë gjë pa përdorur dhe fare kuptueshëm i kanë hipur kalit të patriotizmit.
Nisur nga një pretendim qesharak si është ai i Levicës, parti me komplekse inforioriteti, e cila e shfaq haptas këtë punë duke sharë çdo gjë që nuk është maqedonase, BDI-ja po përpiqet ta bëj të madhe e të stërmadhe diskutimin e Ligjit të Gjuhëve.
Duke kërcënuar si në kohë të Kryqëzatave e duke përdorur një gjuhë folkloriste, ata mendojnë se do t’i shpëtojë karta e nacionalizmit.
Është vonë, tepër vonë për makinacione të tilla, pjellë e komplekseve.
BDI-në dhe Levicën i bashkon një gjë:
FRIKA- Levica ka frikë nga gjuhët autoktone kurse BDI-ja ka frikë nga Drejtësia”, shkruan mes tjerash Taravari.