Kandidati i VLEN-it për komunë e Haraçinës, Daut Beqir në një video paraqitje, ka deklaruar se komuna e Haraçinës do fillon një kapitull të ri, një kapitull të zhvillimit dhe të dinjitetit.
Sipas tij, projektet që do të realizohen gjatë mandatit të tij janë të qarta dhe të domosdoshme.
Ja dhe komunikata e plotë:
Haraçina është shtëpia jonë e përbashkët. Dhe askush më mirë se ne nuk e di se çfarë sfidash ka kaluar kjo komunë. Andaj fillimisht falënderojmë udhëheqësinë aktuale të komunës për gjithçka që është munduar të bëjë në këto vite. Por le ta themi hapur: Haraçina meriton shumë më tepër.
Meriton ujë të pastër në çdo shtëpi, meriton rrugë të asfaltuara në çdo mëhallë e fshat, meriton shkolla moderne dhe hapësira ku fëmijët tanë rriten me dinjitet. Meriton një infrastrukturë urbane që e vendos krah për krah me çdo komunë tjetër të zhvilluar.
Unë, Daut Beqiri, vij sot para jush me një zotim të qartë: të fillojmë një kapitull të ri për Haraçinën. Një kapitull të zhvillimit dhe dinjitetit.
Projektet që do të realizohen gjatë mandatit tim janë të qarta dhe të domosdoshme: Ujë i pastër për pije në çdo shtëpi; Kanalizim modern për shëndetin e qytetarëve; Stadium dhe park i gjelbër për rininë tonë sportive dhe për familjet; Investime serioze në shkolla për gjeneratat e reja; Rrugë të asfaltuara kudo në Mojancë, Grushinë e Orllancë, në çdo cep të komunës, nuk do të mbetet më rrugë e paasfaltuar;
Mbulimi i plotë i pjesës së mbetur të “kanalit famshëm” që për vite të tëra ishte plagë e hapur për Haraçinën.
Të dashur qytetarë,
Unë nuk ofroj iluzione.
Unë ofroj punë të ndershme, përkushtim dhe rezultate konkrete.
Koha e fjalëve të bukura ka mbaruar. Tani është koha e veprave! Haraçina nuk do të jetë më sinonim i harresës dhe i padrejtësisë.
Unë besoj thellë se kjo komunë, e cila shpesh është përmendur si simbol i harresës, do të bëhet shembull i zhvillimit dhe i krenarisë.
Me besimin dhe mbështetjen tuaj, së bashku do ta shkruajmë këtë kapitull të ri për Haraçinën – kapitullin e dinjitetit dhe të ardhmes më të mirë për të gjithë.