Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka dalë hapur në mbështetje të studentëve që sot protestojnë për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë kërkesë si bazike dhe të domosdoshme.
Ai theksoi se kjo çështje nuk është e re dhe nuk duhet të trajtohet si temë e momentit, por si një padrejtësi e kahershme që kërkon zgjidhje konkrete.
Në reagimin e tij, Beqiri kritikoi ashpër paraqitjen në protestë të figurave politike që, sipas tij, kanë pasur mundësi reale për ta zgjidhur këtë problem ndër vite. Ai përmendi Musa Xhaferi, duke ngritur pikëpyetje për rolin e tij gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.
“Sot të dalësh si mbështetës i një kauze që ke pasur në dorë ta zgjidhësh, nuk është mbështetje, por tentativë për të shmangur përgjegjësinë,” theksoi Beqiri.
Ai shtoi se zgjidhjet nuk duhet të vonohen më dhe se studentët meritojnë përkushtim real, jo deklarata të vonuara politike.
Në fund, Beqiri nënvizoi se subjekti politik VLEN do të vazhdojë të jetë në krah të qytetarëve dhe të angazhohet për zgjidhjen e problemeve të trashëguara, duke vendosur në fokus interesin e studentëve dhe të drejtave të tyre.

