DAP: Tatimet kanë mbushur buxhetin me më shumë se 4 miliardë euro

2 Min. Leximi

Buxheti është mbushur me mbi 4 miliardë euro nga tatimet dhe kontributet shoqërore. Njoftimi është bërë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). Sipas këtij institucioni në vitin 2025 në buxhetin shtetëror janë grumbulluar 4 miliardë e 426 milionë euro nga tatimet dhe kontributet, që është mbi 300 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.

“Nga shuma e përgjithshme, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, me çrast është shënuar rritje prej 7,5%, krahasuar me vitin paraprak. Rritja është shënuar në vazhdimësi gjatë gjithë vitit, me një ritëm të përshpejtuar në pjesën e dytë të vitit 2025, kur është realizuar katër të pestat të rritjes vjetore”, njoftojnë nga DAP.

Të ardhurat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar sipas, Drejtorisë së të Ardhurave Publike shënojnë rritje nga 10 deri në 13 për qind. Te tatimi i fitimit, rritja është më e madhe edhe atë 30 për qind. Në pjesën e tatimit të të ardhurave personale, pjesëmarrje më të madhe ka tatimi i pagave, i cili shënon rritje prej 10 për qind.

“Te kontributet shoqërore janë grumbulluar 2 miliardë e 92 milionë euro, që është 145,2 milionë euro më shumë se në vitin 2024 dhe përbën rritje prej 7,5 për qind”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike grumbullimi i lartë i tatimeve është rezultat i pagesës në kohë të detyrimeve dhe zbatimi i masave ligjore. /Alsat.mk/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull