Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë lëvizje të shumta politike në muajin e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, sipas një analize të CNN-it, Trumpi gënjeu shpejt dhe furishëm gjithashtu.
Në fjalime, intervista, shkëmbime me gazetarë, dhe postime në rrjete sociale, presidenti amerikan i mbushi deklaratat e tij publike jo vetëm me ekzagjerime, por edhe me fabrikime të pavërteta. Siç ka vepruar në mandatin e tij të parë, Trumpi bëri hamendësime të rreme me frekuencë dhe larmi të papërsëritshme nga çdo zyrtar tjetër i zgjedhur në Washington.
Më poshtë gjeni listën e 13 gënjeshtrave më të mëdha që nga inaugurimi i tij me 20 janar, sipas CNN-it:
1. Tregimi për 50 milionë dollarët – ose 100 milionë – në prezervativë për Hamasin
Kur zyrtarja për komunikim me media, Karoline Leavitt, njoftoi në adresimin e parë zyrtar të saj nga Shtëpia e Bardhë se presidenti Trump kishte përpiluar një plan për të shpenzuar 50 milionë dollarë “për të financuar prezervativët në Gaza”, ishte menjëherë e qartë se pohimi ishte shumë i dyshimtë. Por, Trumpi jo vetëm që përsëriti shifrën e 50 milionë dollarëve ditën tjetër. Ai madje shtoi një tjetër pretendim duke thënë se prezervativët ishin “për Hamasin”. Pastaj e ngriti çmimin në 100 milionë dollarë. Ky ishte një tjetër shembull i “Trumpflacionit”, njërit nga veset e vjetra të presidentit për të krijuar histori të pasakta dhe të pavërteta.
2. Ukraina si fajtore për fillimin e luftës në Ukrainë
Rusia e kishte filluar luftën në Ukrainë, kur vendosi ta sulmonte në vitin 2022. Ky është fakt i ditur. Por të martën, përderisa Trumpi po kundërshtonte kritikat e Ukrainës në lidhje me përjashtimin prej negociatave midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u mbajtën në Arabinë Saudite, ai gjithashtu e akuzoi Ukrainën se e kishte filluar luftën – duke thënë se, “ju nuk është dashur kurrë ta nisni luftën” dhe “ju keni mundur të arrini marrëveshje”. Propagandë e stilit të Kremlinit, kësaj radhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
3. (Jo-Ekskluziviteti i së drejtës të shtetësisë me lindje
Trumpi ka ofruar çka mund të tingëllonte si veprim i arsyeshëm mbi përpjekjen e tij për të larguar të drejtën e shtetësisë nëpërmjet lindjes. Shtetet e Bashkuara, ka thënë ai, janë shteti i vetëm në botë që ka të drejtën e shtetësisë me lindje. Kjo nuk është e vërtetë, sepse CNN dhe media të tjera e kanë demantuar presidentin, kur ai kishte dhënë të njëjtat aludime në vitin 2018. Shumë shtete të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën, gjithashtu mundësojnë të drejtën e shtetësisë automatike me lindje, për ata persona që lindin në tokën e tyre.
4. Shtrembërimi i realitetit të 6 janarit
Për vite me radhë, Trumpi ka paraqitur versionin e tij për trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Capitol Hill, që nuk korrespondon me atë që në të vërtetë kishte ndodhur. Kur ai ishte pyetur në fillim të shkurtit, se pse i kishte falur personat që kishin sulmuar autoritetet, Trumpi ka thënë se njerëzit që i ka falur, në fakt, ishin “sulmuar nga qeveria jonë” dhe se “ata nuk kanë sulmuar askënd”. Fraza “ata nuk e kanë sulmuar askënd” ishte një refuzim i guximshëm i realitetit të dukshëm, që shihet video pas videoje dhe gjyq pas gjyqi. Departamenti i Drejtësisë ka thënë se mbi 140 zyrtarë policorë ishin sulmuar me 6 janar, dhe më shumë se 170 persona ishin fajtorë për trazirat.
5. Një tufë gënjeshtrash rreth politikës së ujit në Kaliforni
Në mes të katastrofës, më shumë pandershmëri. Së pari, Trumpi lidhi zjarret e pyjeve në Los Angeles me vendimin e shtetit të Kalifornisë për të përdorur ujin e saj, në mënyrë që të mbrojë një specie peshqish në pjesën veriore të shtetit – pavarësisht se këto dy gjëra nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, siç shpjeguan ekspertët e hutuar nga pretendimi i presidentit. Më pas, pasi që urdhëroi lëshimin e papritur të miliarda galonëve ujë nga rezervuarët e Luginës Qendrore pa ndonjë arsye, Trumpi tha se rrjedha e ujit po shkonte në drejtim të Los Angeles – ndonëse ajo nuk po shkonte në Los Angeles dhe nuk kishte asnjë gjasë reale të shkonte atje.
6. Gënjeshtra për zgjedhjet
Çfarë mund të thuash më sa i përket kësaj? Fitorja e Trumpit në zgjedhjet e lira dhe demokratike të vitit 2024 nuk e bindën që të braktiste gënjeshtrat e tij të pafundme për humbjen në zgjedhjet e lira dhe demokratike të vitit 2020. Më shumë se 4 vjet pas humbjes së tij në garën presidenciale kundër Joe Bidenit, ai ka përsëritur frazën e preferuar “manipulim” gjatë tri ngjarjeve të fundit që nga dita e inaugurimit, dhe disa herë të tjera pas kësaj.
7. Përsëri, ajo përralla për boksierët olimpikë
Trump, dikur promovues i njohur i gënjeshtrave mbi vendlindjen e presidentit Barack Obama, vazhdoi të tregojë pa hezitim gënjeshtra jo vetëm për çështje politike, por edhe për individë të caktuar. Këtë herë, për të promovuar përpjekjet e tij për të përjashtuar atletët transgjinorë nga Lojërat Olimpike, ai tregoi përrallën e tij të njohur se si dy kampione të medaljeve të arta në boksin e femrave në Lojërat e Parisit vitin e kaluar, ishin burra që ndryshuan gjininë. Gabim. Siç e theksoi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar gjatë Lojërave, kur Trump dhe të tjerë bënin këto pohime, asnjëra nga kampionet nuk kishte ndryshuar gjininë; të dyja ishin lindur si femra dhe gjithmonë kanë garuar në ngjarjet për femra. Edhe autoriteti i diskredituar i boksit që shpalli me kontestim përjashtimin e grave nga një kompeticion në vitin 2023, duke pretenduar paqartësisht se një test kishte zbuluar se ato kishin avantazhe të padrejta konkurruese, nuk pretendoi që ato kishin ndërruar gjini.
8. Fqinji imagjinar verior i presidentit
Para se të merrte detyrën, Trump e pohonte me lehtësi se populli kanadez “e pëlqen” idenë e tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së. Kjo ishte e kundërta e të vërtetës; ideja është shumë e kundërshtuar nga kanadezët. Pas inaugurimit, Trumpi vazhdoi të shpikë gjëra për Kanadanë – njëherë postoi në mediat sociale dhe më pas tha me zë të lartë se Kanadaja ndalon bankat amerikane të bëjnë biznes atje. Padyshim, disa amerikanë mund ta besojnë, por është e pavërtetë.
9. Kritika ndaj Bidenit për programin e nisur në mandatin e tij të parë
Pas përplasjes fatale të janarit mes një helikopteri ushtarak dhe një avioni pasagjerësh, Trump akuzoi programet e diversitetit të administratës Biden brenda Administratës Federale të Aviacionit (AFA), pa ofruar asnjë provë që ndonjë politikë e diversitetit në kuadër të saj kishte lidhje me aksidentin. Ai pretendonte për përpjekje të nxituar nga Bideni që të punësonte persona me aftësi të kufizuara si kontrollues të trafikut ajror, duke dështuar të shpjegonte se ky program pilot i FAA në fakt ishte një iniciativë shumëvjeçare që u lansua gjatë administratës së tij në vitin 2019.
10. Manipulime të vazhdueshme se kush i paguan tarifat
Kur Trumpi foli për tarifat që u kishte vendosur importeve kineze në mandatin e parë, ai foli për shumën e madhe të parave që këto tarifa do të gjeneronin “nga Kina” për Thesarin e shtetit. Në asnjë moment, ai nuk përmendi se janë importuesit amerikanë, jo shtetet e huaja, ata që paguajnë tarifat – apo se studim pas studimi, përfshirë një studim të bërë nga komisioni dypartiak tregtar në kuadër të qeverisë federale, rezultatet e të cilit tregojnë se janë amerikanët ata që kanë vuajtur nga tarifat e vendosura mbi importet kineze në mandatin e tij të parë.
11. Stërekzagjerimi i rritjes së shkallës së autizmit
Trumpi vazhdoi të flirtonte me teoritë konspirative, ndonëse jo publikisht, se vaksinat e fëmijërisë së hershme shkaktojnë autizëm – dhe se në një postim në rrjete sociale në fillim të muajit shkurt, ai ekzagjeroi rritjen e shkallës së autizmit në dy dekadat e fundit. “20 vjet më parë, autizmi te fëmijët ishte 1 në 10,000. TANI ËSHTË 1 në 34,” ka shkruar Trumpi. “WOW! Diçka po shkon keq”, ka shtuar ai. Pavarësisht faktit se ekspertët thonë se rritja e diagnozave të autizmit (1 në 36 fëmijë deri në moshën 8 vjeçare në vitin 2020) ka të ngjarë të bëjë me rritjen e ndërgjegjësimit për simptomat dhe praktikat e përmirësuara, statistikat publike nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së tregojnë se frekuenca e njohur në vitin 2004 ishte 1 në 125 fëmijë, jo “1 në 10,000”.
12. (Mos)Operimi i kanalit të Panamasë nga Kina
Shumë prej gënjeshtrave të Trumpit janë të improvizuara. Disa prej tyre, planifikohen më përpara. Disa prej tyre, janë të shkruara në fjalimet e tij të përgatitura. Ai tha në fjalimin inaugurues në janar se “mbi të gjitha, Kina po operon me Kanalin e Panamasë”. “Ne nuk ia dhamë kanalin Kinës, ne ia dhamë kanalin Panamasë, dhe ne do ta kthejmë mbrapsht”, u shpreh ai. Ky do të ishte një argument i mirë nëse Kina po operonte mirëfilli me Kanalin e Panamasë. Nuk është duke operuar e Panamaja është përgjegjëse për kanalin, megjithëse Trumpi ka ngritur pyetje legjitime për ndikimin e Kinës në atë zonë.
13. Trumpi shpiku “dominimin” brenda votës tek të rinjtë
Trumpi ka thënë disa gjëra të sakta gjatë festës së fitores pas përfundimit të zgjedhjeve në vitin 2024. Njëra ndër to është fakti që ai fitoi të gjitha shtetet kyçe. Por, në vijë me praktikën e kultivuar gjatë të ekzagjerimit të arritjeve, qofshin ato arritje legjitime, ai vazhdoi të përfshinte një pretendim që nuk ishte aspak i saktë –se kinse ai fitoi votat e të rinjve “me 36 pikë.” Në fakt, exit-pollet tregojnë se ai e humbi votën e të rinjve nga ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris. Edhe nëse këto sondazhe ishin të pasakta, nuk ka asnjë bazë për pohimin se ai fitoi votën e të rinjve me 36 pikë.