Nëse në zgjedhjet presidenciale ka një pjesëmarrje prej 40 për qind, presidenti i ri do të bëjë betimin para përbërjes së vjetër parlamentare dhe do të japë mandatin për qeverinë e re. Nëse nuk ka census, mandatin për qeverinë e re mund ta caktojë kryetari aktual i parlamentit Jovan Mitrevski, i cili do të duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.
Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç që njëri nga dy kandidatët duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që pjesëmarrja të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore ose rreth 725.000 votues.
Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.
Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës do të mbahet nga deputetët nga përbërja aktuale e Kuvendit.
Mirëpo, këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, gjegjësisht nëse nuk ka kundërshtime për rivotim në disa vendvotime, siç sqaron ish-kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski.
“Kandidati për president që fiton zgjedhjet duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe sipas Kushtetutës mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare, por nëse nuk ka asgjë të diskutueshme. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj presidenti i ri do të caktojë mandatin për të formuar një qeveri të re”, thotë Novakovski.
Në rast të mospërmbushjes së censusit prej 40% për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani, atëherë Kushtetuta parashikon që kompetencat dhe funksionet e Presidentit të Republikës do të merren nga kryetari i Kuvendit.
Pa census, një opsion është që t’i caktohet mandati për formimin e Qeverisë së re Jovan Mitrevskit si kryetar aktual i Kuvendit, dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Kuvendi i ri dhe kryetari i ri i Kuvendit ta japë mandatin për formimin e një qeveri të re.
Novakovski thotë se pa census prej 40 për qind, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh Kuvendi duhet të shpallë zgjedhje të reja.
“Me kusht, nëse nuk zgjidhet Presidenti i Republikës, atëherë Kryetari i Kuvendit duhet t’i shpallë zgjedhjet dhe të udhëzojë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve t’i zhvillojë ato dhe Kryetari i Kuvendit të marrë pozitën e Presidentit të Republikës. Në këtë rast ai ka të gjitha kompetencat për të caktuar një mandat për një Qeveri të re. Nëse shfaqen dilema të tilla, mund të ketë nevojë për disa sqarime edhe nga Gjykata Kushtetuese”, thotë Novakovski.
Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka kundërshtime nga kandidatët dhe partitë. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë ezauruar të gjithë mekanizmat ligjorë në vend.
Kuvendi i ri duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve që do të shpallë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Nëse, për shembull, shpallen rezultatet më (10 maj), Kuvendi duhet të mbajë seancën konstituive jo më vonë se data 31 e të njëjtit muaj, që ka qenë gjithmonë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në rast se kryetari aktual i Kuvendit nuk mbledh seancë konstituive pas skadimit të 21 ditëve, Kushtetuta parashikon që deputetët e rinj mund të thërrasin vetë seancën konstituive dhe të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit të ri, Presidenti i Republikës është i detyruar në afat prej 10 ditësh t’ia caktojë mandatin për përbërjen e Qeverisë së ardhshme kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në parlament.
Mandatari pastaj ka 20 ditë për të dorëzuar në Kuvend programin dhe përbërjen e propozuar të Qeverisë së re. Ai duhet të votohet me shumicën e votave (61) nga numri i përgjithshëm i deputetëve. /rse/