Në debatin në Kuvend ku u komentua nisma për interpelancën ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, deputeti i koalicionit VLEN, Rijad Shaqiri kritikoi anëtarët që siç tha, nuk kanë ndërmarrë asgjë në rastin e Agim Islamit dhe Rexhail Qerimit, Rastin Monstra e Lagjen e Trimave që siç thotë, njerëzit pafajësisht vuajnë dënimin.


“Nga gjithë këto kompetenca të Këshillit Republikan Gjyqësor, pesë personat në fjalë, çfarë kanë ndërmarrë në rastin e Agim Islamit, që është i dënuar me burgim të përjetshëm i cili vuan dënim nga prilli i vitit 2010 dhe të ndjerit Rexhail Qerimit i cili ndërroi jetë në vuajtje të një dënimi të shqiptuar pa bazë, edhe përkundër publikimit të pamjeve filmike, që personat në fjalë nuk janë kryerës të veprës, nga pamjet filmike, që asgjë nuk përputhej me trupat e ekzekutorëve dhe të dënuarve dhe ju në këtë rast asgjë nuk ndërmorët. Rasti Monstra është rast i njëjtë që njerëzit padrejtësisht rrijnë në burg dhe ju keni qëndruar duar kryq”, tha Shaqiri.