Çështja e Presidentit, Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur

1 Min. Leximi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, siç edhe pritej, ka folur për çështjen e presidentit. Kurti ka thënë se për bindjen e tij, profesori Murat Jashari, që vjen nga familja emblematike Jashari, do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur për president të vendit.

“Pas formimit të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, pasi kanë mbetur edhe shumë pak ditë për ta zgjedhur presidentin- presidenten. Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë kam ftuar në takim dy liderët e partive opozitare. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet që një figurë si e profesorit Murat Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, tha Kurti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull