Çështja e presidentit – çfarë tha Kurti e çfarë thanë përfaqësuesit e partive opozitare?

5 Min. Leximi

Kanë kaluar gjashtë ditë që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nga ky vendim kanë kaluar gjashtë ditë, ndërkaq përveç deklaratave nuk duket se ka ndonjë lëvizje në drejtim të ndonjë marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Një ditë më parë, lidhur me çështjen e presidentit u deklarua kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se do të dërgojë ftesa për liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Kurti gjatë një konference për media tha se ende nuk kishte kohë të mjaftueshme për konsultime të brendshme lidhur me takimet e ardhshme, por theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi të gjerë.

“Pa dyshim që do të bëjë ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare, në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët për të arritur numrin prej së paku 80 deputetëve. Unë nuk besoj se është mirë të jemi vetëm 80 apo 81 deputetë; duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86, që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, pritshmëritë dhe kërkesat që do të shqyrtohen gjatë këtyre takimeve do të bëhen të qarta vetëm pas zhvillimit të tyre.

“Sigurisht që kjo është çështje tejet e rëndësishme zgjedhja e presidentit edhe ne e marrim me seriozitetin më të lartë institucional e politik. Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk jam gabim kemi kohë deri më datën 28 prill që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra nuk janë tri ditë, janë 30 por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë, por mua më nevojiten konsultimet e brendshme dhe natyrisht ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvillojë menjëherë do të dërgojë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare. Edhe një herë po them që sa është e rëndësishme ta trajtojmë me urgjencë, është e rëndësishme që të kemi sukses. Sepse në fund të fundit nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë por me suksesin që e arrisim”, tha Kurti.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e presidentit janë deklaruar edhe nga partitë opozitare.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se do të flasin pasi të pranojnë ftesën.

“Kosova është pa institucione të konsoliduara dhe pa president, jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosjes. Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë, por do ta shohim edhe formën edhe përmbajtjen e pastaj do të flasim”, ka thënë deputetja nga PDK-ja, Vlora Çitaku.

Lidhur me zgjedhjen e presidentit janë deklaruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se partia e saj pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojë të mbajë qasje bashkëpunuese në dialogun politik për zgjedhjen e presidentit.

“Ne e kemi pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vazhdojmë qasjen tonë bashkëpunuese për të siguruar institucione funksionale, por përgjegjësia kryesore mbetet te partia më e madhe, që ka numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti”, tha Lushaku.

Ajo shtoi se, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk tregon vullnet për marrëveshje, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja.

Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se çështja e presidentit është përgjegjësi e Kurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ka kritikuar qasjen e mazhorancës.

“Nuk e kemi diskutu, është një procedurë standarde që ky formacion politik që po e udhëheq Kosovën e ka me i zgjat punët deri në fund, me ble ditë edhe në fund me ardh me bo një proces kinse po diskutojmë për një president unifikues”, tha Tahiri.

Ai shtoi se, sipas tij, situata po përsëritet dhe mungojnë veprimet konkrete nga shumica.

“Prapë po ndodh e njëjta, prapë është avazi i njëjtë. Krejt vajtojnë e bërtasin ‘kuku qysh me zgjedh presidentin’, asnjë veprim prej shumicës, asnjë zë nuk u dëgjohet”, u shpreh Tahiri.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull