Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu njoftoi se sot është realizuar inspektimi përfundimtar në objektin e ri të çerdhes “Bambi”, pjesë e kompleksit të kopshtit të fëmijëve “Fidani”. Sipas Ganiut, kjo çerdhe ka kapacitetin më të madh në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Objekti tashmë është tërësisht i kompletuar me inventar dhe interier modern, në përputhje të plotë me standardet më të larta për institucionet e edukimit dhe përkujdesjes parashkollore. Me një kapacitet prej 350 fëmijësh dhe 22 klasa funksionale, ky institucion i ri garanton kushte optimale për zhvillimin e hershëm, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve. Në vijim të përfundimit të punimeve ndërtimore dhe pajisjes së brendshme, në ditët në vijim pritet të organizohet hapja solemne e këtij objekti, ndërsa paralelisht do të realizohen edhe detajet estetike përfundimtare që do ta pasurojnë më tej pamjen e jashtme dhe funksionalitetin e tij”, njoftojnë nga komuna.