Caktohet paraburgim prej dy ditëve për bashkëshortin e Ivanës, e cila vdiq me të bijën pas rënies nga ballkoni

1 Min. Leximi

Prokuroria Themelore Publike në Shkup i ka dorëzuar propozim gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh për Stojançe Jovanovskin, bashkëshortin e Ivanës, e cila së bashku me vajzën e saj Katja humbi jetën pas rënies nga ballkoni në lagjen Taftalixhe.

Nga Prokuroria informojnë se ndaj të dyshuarit ekzistojnë dyshime për vepra penale – „Lëndim trupor“ nga neni 130 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, „Rrezikim i sigurisë“ nga neni 144 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe 1, si dhe „Shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje“ nga neni 128 paragrafi 4 i Kodit Penal.

Prokuroria njoftoi se masa e paraburgimit është e nevojshme me qëllim të ndërmarrjes së të gjitha veprimeve hetimore për sigurimin e provave lidhur me dyshimet, pas së cilës gjykata e ka pranuar propozimin dhe ka caktuar paraburgimin afatshkurtër. Gjatë kësaj periudhe do të kryhen ekspertizat, analizat e kamerave, raportet nga bastisjet dhe të gjitha veprimet e urdhëruara sot, ndërsa varësisht nga rezultatet, prokurori do të deklarohet nëse ka nevojë për vazhdimin e kësaj mase.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull