Udhëheqësia lokale në Strugë, sërish po mundohet t’i shesë qytetarëve të njëjtin premtim të ricikluar për ndërtimin e bulevardit qendror. Me tone festive dhe deklarata për “hap madhor në zhvillimin urban”, qeverisja lokale aktuale njoftoi së fundmi nisjen e punimeve për bulevardin me dy korsi. Por e vërteta është krejt tjetër: ky premtim është bërë për herë të parë në vitin 2017, është përsëritur në 2021, dhe sot – në fund të mandatit – ende nuk është realizuar.
Premtime të vjetra, të rimbështjella si të reja
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në programin zgjedhor të BDI-së për Strugën u theksua se do të zgjidhnin kaosin urban në qendër të Strugës përmes zgjerimit të rrugës qendrore nga rrethi tek policia deri te ish-hoteli Apolonia. Ky projekt figuron qartë në programin zgjedhor të asaj kohe si prioritet në kategorinë “Urbanizëm dhe Infrastrukturë”.
Megjithatë, punimet nisën vetëm disa muaj para përfundimit të mandatit, më shumë si një shfaqje elektorale sesa si investim serioz.
Në vitin 2021, premtimi u riciklua sërish. Rikonstruimi i rrugës “Turistike” dhe hapja e bulevardit u vendosën edhe një herë në qendër të fushatës. Por deri para disa ditësh të këtij mandati, qytetarët nuk panë as punëtorë, as makineri, as zona të rrethuara punimesh.
Realiteti në terren
Nga premtimet për qindra vende parkimi të reja, trotuare moderne, kanalizim atmosferik dhe sistem ndriçimi rrugor – në terren nuk shihet asgjë. Nga gjithë ky vizion urban mbeten vetëm disa prishje objektesh dhe fjalë të përsëritura.
E njëjta skemë: fillimisht premtim, pastaj vonesa për shkak të “problemeve pronësore”, e në fund heshtje.
Ky nuk është thjesht dështim infrastrukturor – është mosrespektim i hapur ndaj qytetarëve të Strugës.