Bujar Osmani sërish del në skenë por tani jo si përfaqësues i shqiptarëve, por si zëdhënës i interesave serbe dhe si alibi e narrativave të Beogradit. I njohur për turpin e “deeskalimit” gjatë aktit terrorist në Banjskë, kur heshti dhe kërkoi qetësi teksa policët e Kosovës u vritnin nga bandat e Vuçiqit, sot vjen me një tjetër skandal diplomatik që tejkalon çdo kufi moral e kombëtar.
Në një intervistë publike, Osmani e krahasoi ndërhyrjen legjitime të Policisë së Kosovës në veri ndaj bandave kriminale serbe të dirigjuara nga strukturat paramilitare të Beogradit me një ndërhyrje të mundshme të Policisë së Maqedonisë në Tetovë ndaj popullsisë shqiptare.
Pra, sipas Bujar Osmanit: kriminelët e uniformuar serbë në veri = shqiptarët e Tetovës që jetojnë në tokën e vet.
Ky është niveli i një diplomati që, për vite me radhë, ka përdorur kauzën shqiptare për karrierë personale, por ka shërbyer vazhdimisht agjendave anti-shqiptare.
Le ta kujtojmë pak opinionin e tij kur ishte kryesues i OSBE-së: në vend që të kërkonte mbështetje ndërkombëtare për Kosovën, Osmani i bëri thirrje FSK-së të tërhiqet nga veriu, në kohën kur atje po forcohej kontrolli sovran dhe ligjor i shtetit të Kosovës. I vetmi ministër i jashtëm në Ballkan që doli kundër ushtrisë së Kosovës për të kënaqur Serbinë. Ironikisht, në atë kohë ai e quante veten “pro-evropian”, por në çdo veprim konkret ishte “pro-serb”.
Po të kishte ndodhur një sulm i ngjashëm në ndonjë pjesë të Serbisë, Bujar Osmani do të kishte qenë i pari që do të dilte me deklaratë për “stabilitetin rajonal” dhe “dialogun”, ndërsa kur vriten shqiptarët, hesht, relativizon dhe fajëson viktimën.
Këto deklarata nuk janë thjesht skandaloze, ato janë të rrezikshme. Sepse vijnë nga dikush që që paraqitet si “diplomat karriere”. Por diplomacia pa dinjitet dhe pa komb nuk është diplomacy, është servilizëm politik. Bujar Osmani nuk përfaqëson më shqiptarët. Ai është vetëm një peng i interesave të huaja që kërkojnë të njollosin luftën tonë për liri dhe dinjitet.