Tre javë pas humbjes në zgjedhjet lokale të komunës së Çairit përballë Izet Mexhitit, ministri i Jashtëm në largim, Bujar Osmani, ka reaguar për herë të parë publikisht përmes një statusi reflektues në rrjete sociale.
Në postimin e tij, Osmani flet për “heshtjen pas humbjes” dhe për mësimet që, sipas tij, ajo sjell. Ai thekson se humbja nuk është fund, por “rikalibrim i drejtimit” dhe se ajo e ndihmon njeriun të kuptojë më mirë motivet dhe qëllimet e veta.
“Ekziston një heshtje që vjen pas humbjes, një heshtje që asnjë fitore nuk mund të të mësojë. Në atë heshtje i dëgjon qartë njerëzit, zërat, lodhjen që e ke fshehur, dhe kupton se politika shpërblen paraqitjen më shumë se ndershmërinë,” shkruan Osmani.
Ai rikujton profesionin e tij si kirurg dhe e krahason ndjesinë e humbjes në politikë me përgjegjësinë e jetës dhe vdekjes në sallën e operacionit:
“Jam kirurg para se të bëhem politikan, dhe në sallën e operacionit humbjet janë më të rëndat. Atje përgjegjësia nuk matet me kolltuk, por me jetë njerëzish.”
Në një ton introspektiv, Osmani ndan katër mësime që thotë se i ka nxjerrë nga përvoja politike:
• Fitoret nuk janë personale, përvojat po;
• Heshtja është reflektim, jo humbje;
• Humbja është provë dhe rivlerësim i motiveve;
• Fillimi i ri është bekim.
Ai shpjegon se është rikthyer në profesionin e mjekut jo për t’i ikur politikës, por për të “gjetur ekuilibrin”:
“Në sallën e operacionit nuk ka spin, nuk ka audiencë, ka punë, përqendrim dhe përgjegjësi. Aty gjeta qetësinë që më kishte munguar.”
Në përmbyllje, Osmani thotë se qëndrimi pas humbjes ka më shumë vlerë se çdo fitore e përkohshme:
“Sot besoj se ka më shumë vlerë të qëndrosh i qetë dhe i ndershëm pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë. Humbja nuk është fund, është rikalibrim i drejtimit… Unë nuk jam tërhequr; jam rikalibruar.”

