Britani, shënohet rritje e krimeve të urrejtjes racore dhe fetare në transportin publik

3 Min. Leximi

Krimet e urrejtjes me bazë racore dhe fetare në transportin publik në mbarë Mbretërinë e Bashkuar janë rritur vitet e fundit, me të dhënat e policisë që tregojnë mbi 3.200 vepra penale me motiv racor të regjistruara në periudhën midis viteve 2024–2025, sipas shifrave të publikuara sot, transmeton Anadolu.

Të dhënat nga Policia e Transportit e Britanisë tregojnë se krimet e urrejtjes me bazë racore të regjistruara në Angli, Uells dhe Skoci janë rritur nga 2.827 raste në 2019–2020 në 3.258 në periudhën 2024–2025, duke pasqyruar një trend të qëndrueshëm në rritje në rrjetet hekurudhore dhe ato të autobusëve.

Forcat e policisë kanë raportuar rritje të krimeve të urrejtjes fetare, veçanërisht ato që synojnë muslimanët në Angli dhe Uells. Në të njëjtën kohë, Skocia ka regjistruar rritje të ndjeshme të veprave penale me motiv racor gjatë së njëjtës periudhë.

Sipas të dhënave të siguruara nga “The Guardian”, numri i rasteve të krimeve të urrejtjes fetare të regjistruara nga Policia e Transportit e Britanisë është rritur nga 343 në periudhën 2019–2020 në 419 në periudhën 2023–2024, përpara se të binte në masë të vogël në 372 në periudhën 2024–2025.

Akeela Ahmed, drejtoreshë ekzekutive e Trustit Musliman Britanik, tha se këto shifra pasqyrojnë raportet që organizata e saj ka marrë nga i gjithë vendi dhe u bëri thirrje autoriteteve “të ndërmarrin veprime urgjente dhe domethënëse”.

“Për muslimanët që duken qartë si të tillë, kati i sipërm i një autobusi apo një vagoni treni gjysmë i zbrazët mund të nënkuptojë sjellje kërcënuese, fyerje verbale apo edhe sulme fizike, thjesht për shkak të besimit të tyre”, tha Ahmed.

Ajo shtoi se incidentet e raportuara në transportin publik janë ndër rastet më komplekse dhe më shqetësuese që trajton organizata e saj.

Ahmed theksoi se është alarmante që një numër i konsiderueshëm i sulmeve të raportuara, si verbale ashtu edhe fizike, kanë përfshirë fëmijë që udhëtojnë drejt dhe nga shkolla, duke paralajmëruar se mbulimi i kufizuar me kamera sigurie në autobusë dhe në stacione u mundëson autorëve të shmangin përgjegjësinë.

“Abuzimi, frikësimi dhe dhuna, veçanërisht ajo e motivuar nga urrejtja nuk do të tolerohen kurrë, dhe ne kemi vepruar shpejt dhe vendosmërisht sa herë që marrim raportime për krime urrejtjeje në rrjetin hekurudhor”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Policisë së Transportit të Britanisë për “The Guardian”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull