“Bomba” e Kasamit: Nuk jam i kënaqur me performancën e funksionarëve, nesër vendosim për hapat e radhës

2 Min. Leximi

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëheritë njëri nga krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në një paraqitje në emisionin “Click Plus” në TV21, ka shprehur pakënaqësi për performancën e deritanishme të funksionarëve të subjektit të tij në kuadër të VLEN-it dhe në Qeveri, shkruan Zyrtare.net

“Nuk mund të them se jam plotësisht i kënaqur, sepse gjithmonë mendoj se ka nevojë për më shumë angazhim nga të gjitha dikasteret që ne i udhëheqim. Kemi bërë disa herë analiza për të parë se cilat janë anët e forta të Lëvizjes Besa në VLEN dhe si pjesë e VLEN-it në Qeveri”, deklaroi Kasami.

Ai theksoi se personalisht vlerëson që kapaciteti i Lëvizjes Besa në VLEN dhe në ekzekutiv është shumë më i madh sesa ai që është reflektuar deri më tani në praktikë.

“Personalisht, vlerësoj se kapaciteti i Lëvizjes Besa në VLEN dhe në Qeveri është shumë më i madh se ai që e kemi treguar deri tani”, u shpreh Kasami.

Sipas tij, gjatë ditës së nesërme do të mblidhet Kuvendi Qendror i partisë, ku do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me kuadrot dhe me pozicionimin e mëtejmë të partisë në Qeveri.

“Brenda javës kemi thirrur mbledhjen e Kuvendit Qendror për të vlerësuar pozicionin tonë në Qeveri dhe për të marrë një vendim për rrugëtimin tonë të mëtejmë”, tha ai, duke paralajmëruar vendime konkrete pas analizës së brendshme partiake.

Kasami përmendi edhe rastin e shkarkimit të drejtorit të byros për Metrologji ku tha se i njejti nuk ka treguar performancë të mirë andaj edhe ka pasuar shkarkimi i tij./ZYRTARE.net

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull