Bllokohet llogaria e Komunës së Tearcës, Memishi: Pasojë e menaxhimit të papërgjegjshëm të së kaluarës

1 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka njoftuar se llogaria e komunës është bllokuar duke filluar nga dita e sotme, si pasojë e borxheve të papaguara ndaj kompanive që kanë kërkesa financiare ndaj institucionit.

Sipas tij, përveç borxhit bazë ndaj furnitorëve, detyrimet janë rritur edhe për shkak të shpenzimeve ndaj përmbaruesve dhe kamatave të grumbulluara ndër vite.

Memishi theksoi se kjo situatë është rezultat i, siç u shpreh ai, menaxhimit të papërgjegjshëm nga udhëheqësit e mëparshëm, të cilët, sipas tij, kanë krijuar borxhe të mëdha pa marrë parasysh pasojat për qytetarët.

“Kjo nuk është vetëm një çështje financiare, por një padrejtësi ndaj çdo banori të Tearcës që meriton një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme”, deklaroi Memishi.

Ai shtoi se, pavarësisht situatës së vështirë, komuna do të angazhohet për tejkalimin e krizës përmes transparencës dhe punës së ndershme, duke theksuar se qytetarët meritojnë të jenë të informuar dhe pjesë e zgjidhjes.

Në fund, Memishi u shpreh optimist se me përkushtim të përbashkët do të rikthehet stabiliteti financiar dhe besimi në institucionet lokale.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull