Bllokada në Kuvend, presidentja ka gati draftin e lëndës për në Kushtetuese

2 Min. Leximi

Bllokada e krijuar në Kuvend ka aktivizuar presidenten Osmani që t’i drejtohet  Gjykatës Kushtetuese lidhur më këtë çështje. Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha për RTV21 se tashmë ekipi ligjor i presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese rreth bllokadës në Kuvend por që po e presin vendimin e gjykatës ndaj kërkesës së AAK-së rreth procedurave në seancën konstituive të Kuvendit.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë”, tha Kupina për RTV21.

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese ndërkaq bëri të ditur për RTV21 se po vazhdon shqyrtimin e kërkesës së AAK-së për interpretim kushtetues sa i përket procedurave të seancës konstituive të Kuvendit.

Lidhur me takimet shtesë të mundshme të presidentes Osmani me partitë politike, për konsultime rreth bllokadës së krijuar, Kupina tha se Osmani është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilën parti në rast se liderët e partiak kanë interes për këtë.

“Pas takimit të mbajtur më 15 maj 2025, i cili ishte takimi i parë konsultativ, Presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike.”, tha Kupina për RTV21./21Media

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull