Blerim Bexheti për kallëzimin penal: Është persekutim i organizuar dhe dirigjuar drejtëpërdrejt nga Mickoski

4 Min. Leximi

“Kallëzimi penal i ngritur nga Policia Financiare është i motivuar politikisht dhe krejtësisht i pabazuar në normat ligjore”, deklaroi Blerim Bexheti, duke theksuar se bëhet fjalë për presion të organizuar nga qeveria dhe kryeministri Mickoski ndaj deputetëve të BDI-së. Ai tha se të gjitha procedurat komunale janë kryer në përputhje me ligjin dhe se pretendimet për dëm financiar janë të sajuara. Bexheti paralajmëroi procedura përkatëse ndaj drejtuesve të Policisë Financiare. Sipas tij, ky është një sulm ndaj përfaqësimit dhe dinjitetit politik të shqiptarëve, transmeton Portalb.mk.

“Kam thirrur konferencën e sotme për shtyp për të demaskuar kallëzimin penal të ngritur nga Policia Financiare dhe i cili është i motivuar politikisht dhe krejtësisht i pabazuar në normat ligjore. Kjo është vetëm pjesë e një persekutimi të organizuar, të dirigjuar nga qeveria dhe atë drejtpërdrejt nga Kryeministri Mickoski, me qëllim të qartë për të ushtruar presion mbi mua si deputet, me qëllim rritjen e shumicës në parlament. Sot u them publikisht atyre se as unë dhe as ndonjë deputet tjetër i BDI-së nuk ka frikë nha këto konstrukcione dhe nuk do t’i nënshtrohet presionit nga qeveria! Kallëzimi penal i ngritur nga Policia Financiare është tërësisht i pabazuar, dhe për këtë arsye ne do të ngremë procedura përkatëse kundër Drejtorit Slobodan Ivanovski, Zëvendës Drejtorit Ilber Imeri dhe dy personave të tjerë që së bashku si një bandë e organizuar po oimplemntojnë këtë orkestrim të persekutimit politik. Ne do të dëshmojmë përmes provave që kemi, se urdhrat vijnë direkt nga kryeministri Mickoski, e të cilat janë një përpjekje e drejtpërdrejtë për të ushtruar presion mbi mua si deputet me qëllim rritjen e shumicës në parlament”, deklaroi Bexheti.

Ai u zotua se demaskojë këtë akuzë të sajuar sipas tij dhe të motivuar politikisht kundër NDI-së, dhe pastaj siç tha do ta vërtetojnë institucionalisht persekutimin politik të tyre.

“Të gjitha procedurat e Komunës janë kryer brenda kornizës së kompetencave ligjore, me dokumente dhe akte të vlefshme. Në asnjë moment nuk ka pasur ndonjë paramendim, dhe asnjë përfitim dhe edhe më pak dëm për komunën. Dje ata flisnin në mënyrë skandaloze për “108 milionë denarë dëm”? Kjo është vetëm një sajesë për të krijuar një spektakël mediatik, për të shpifur dhe frikësuar, por gënjeshtrat nuk janë prova. Pikërisht për këtë arsye kjo padi e tyre e sajuar dhe e porositur politikisht do të dështojë. Le t’u jetë e qartë si kryeministrit ashtu edhe izmeqarëve të tij që po e kryejnë këtë përndjekje politike – funksionet e tyre nuk janë të përjetshme. Ky nuk është vetëm një sulm ndaj nesh deputetëve, ky është një sulm ndaj dinjitetit të shqiptarëve, ndaj përfaqësuesve të tyre legjitimë, ndaj vullnetit politik të shqiptarëve dhe është një përpjekje e drejtpërdrejtë për të na heshtur. Mickoski duhet ta ketë të qartë, se ne nuk do të heshtim, as nuk do të tërhiqemi. Ne do ta demaskojmë këtë persekutimin e tij dhe do ta dëshmojmë të vërtetën – ligjërisht, institucionalisht dhe politikisht”, tha Bexheti.

Drejtoria e Policisë Financiare dje ka ngritur kallëzim penal kundër tetë personave, mes tyre Blerim Bexheti, si dhe ish-zyrtarë të tjerë të Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, si dhe një inxhinieri mbikëqyrës – për keqpërdorim të detyrës, neglizhencë në punë dhe falsifikim të dokumenteve afariste. Ata dyshohen se kanë lëshuar leje ndërtimi dhe dokumente me përmbajtje të rreme për një parcelë pa plan urbanistik të miratuar, duke tejkaluar kompetencat ligjore. Përmes këtyre veprimeve, ata kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” SHPK të përfitojë padrejtësisht mbi 108 milionë denarë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull