Sot ka nisur zyrtarisht prishja e objektit të vjetër të shkollës së mesme tekstile në Tetovë, një vend me histori të pasur arsimore ku kanë kaluar breza të tërë nxënësish të dalluar. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se në vend të objektit të vjetër do të ndërtohen dy shkolla të reja dhe moderne: gjimnazi “7 Marsi” dhe shkolla e mesme tekstile “Gjoce Stojçevski”.
“Të dy objektet e reja do të jenë funksionale, me kushte dinjitoze, standarde bashkëkohore dhe teknologji të avancuar – që do t’u përgjigjen nevojave të brezave të rinj,” tha Kasami.
Ai theksoi se investimi është pjesë e përkushtimit për të zhvilluar çdo sferë të pushtetit lokal, “edhe atje ku të tjerët nuk besojnë”, duke shtuar se çdo investim VLEN.