Deputeti Bekim Sali ka reaguar fuqishëm ndaj lajmeve të fundit që, sipas tij, përhapin shpifje dhe dezinformata me qëllim përçarjeje. Në një postim publik, ai thekson se VLEN nuk është thjesht një subjekt politik, por përfaqëson vullnetin e mijëra qytetarëve që besojnë në drejtësi, përfaqësim të barabartë dhe dinjitet.
“Jam krenar që jam pjesë e këtij vizioni dhe do të vazhdoj të kontribuoj me përkushtim dhe përgjegjësi,” shprehet Sali, duke theksuar se nuk do të ndalet përballë asnjë sulmi anonim apo skenari të porositur nga ata që, sipas tij, i tremben humbjes së privilegjeve.
Ai deklaroi se VLEN është këtu për të qëndruar dhe se në tetor do të konfirmohet fuqia e këtij opsioni politik, me Çairin dhe shumë komuna të tjera që do t’i bashkohen kësaj platforme për ndryshim.
Sali u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave, duke garantuar se VLEN do të vazhdojë punën për të realizuar ndryshimet e premtuara.
“Besimi nuk blihet me shpifje, por fitohet me punë, përkushtim dhe ndershmëri,” përfundon deklaratën e tij deputeti i VLEN-it.