Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Ukrainë, ka zhvilluar një takim me Zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian dhe Euroatlantik të Ukrainës, Taras Kachka, ku në fokus ishte procesi eurointegrues dhe bashkëpunimi bilateral.
Sali theksoi se takimi ishte konstruktiv dhe trajtoi disa çështje kyçe për të dy vendet.
“Me Zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian dhe Euroatlantik të Ukrainës, Taras Kachka, zhvilluam një takim konstruktiv për procesin eurointegrues, marrëveshjet tregtare dhe rolin e NATO-s, duke marrë parasysh rëndësinë e Maqedonisë së Veriut si vend anëtar i NATO-s, në sigurimin e stabilitetit rajonal”, u shpreh Sali.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për reformat e brendshme dhe agjendën zhvillimore.
“Diskutuam reformat në drejtësi dhe administratë, agjendën reformuese dhe planin e rritjes. Marrëdhëniet bilaterale janë kultivuar ndër vite, integrimi i dy vendeve në BE mbetet prioritet dhe pjesë e planit strategjik”, deklaroi ai.
Në fund, Sali përcolli mbështetjen e Shkupit zyrtar për aspiratat euroatlantike të Ukrainës.
“I përcolla mbështetjen tonë që Ukraina të bëhet sa më shpejt një vend anëtar i NATO-s, duke sjellë paqe dhe stabilitet rajonal”, theksoi Zëvendëskryeministri i parë.

