Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka bërë homazhe në Prekaz ku përkujtoi komandantin legjendar Adem Jashari dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovë. Në një njoftim publik, Sali tha se vizita në Prekaz është një moment krenarie dhe përulësie përpara sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë.
“Sot, me krenari dhe përulësi, qëndruam në Prekazin e lavdisë, ku bëmë homazhe dhe u lutëm për shpirtin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Sali.
Gjatë vizitës, delegacioni vizitoi edhe kullën e familjes Jashari, ku u prit nga Rifat Jashari.
“Vizituam edhe kullën e Jasharajve, ku në konak na priti baca Rifat Jashari. Në atë kullë qëndrese dhe krenarie u shkrua një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare”, ka shkruar ai.
Sali theksoi se qëndresa e familjes Jashari u bë simbol i sakrificës dhe vendosmërisë për liri.
“Aty nisi qëndresa heroike që u bë simbol i sakrificës dhe i vendosmërisë për liri”, shkruan në njoftim,
Ai nënvizoi gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe epopeja e saj përfaqësojnë jo vetëm histori, por edhe një amanet për brezat e ardhshëm.
Sipas tij, Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm histori. Ajo është amanet, frymëzim dhe udhërrëfyes për çdo brez që vjen pas nesh. Në fund të mesazhit, Sali theksoi detyrimin për të punuar për një të ardhme më të mirë duke ruajtur idealet e dëshmorëve.
“Të frymëzuar nga kjo sakrificë, kemi detyrimin që çdo ditë të punojmë për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj, duke ruajtur dhe mbrojtur idealet për të cilat u flijuan dëshmorët e kombit.”
Ai përfundoi duke nderuar sakrificën e dëshmorëve të kombit.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”

