Sonte, në Pallatin e Kulturës në Gostivar, u mbajt konventa promovuese e koalicionit VLEN, ku u prezantua kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Në këtë ngjarje morën pjesë zv/kryeministri i parë Bekim Sali, Izet Mexhiti si dhe funksionarë të lartë të VLEN-it. Me këtë rast, Sali theksoi nevojën urgjente për ndryshim në qeverisjen lokale të Gostivarit.
“Sonte në Gostivar, së bashku me Izet Mexhitin dhe funksionarë të lartë të VLEN-it, në konventën promovuese, në Pallatin e Kulturës në Gostivar, u promovua kandidati i VLEN-it për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta”, deklaroi Sali.
Ai nënvizoi se gjendja aktuale në komunë është pasojë e keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit ndër vite. “Në Gostivar, ndryshimi është më se i nevojshëm. Keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi e kanë sjellë Komunën e Gostivarit në një situatë të rëndë”, u shpreh zv/kryeministri i parë.
Në fund, Sali u bëri thirrje qytetarëve që përmes votës të mbështesin ndryshimin. “Duke votuar numrin 1, votoni për 1-shin e Gostivarit, për ndryshimin dhe i jepni këtij qyteti një model të përgjegjshëm të qeverisjes”, tha ai.
Konventa u zhvillua në një atmosferë mobilizuese, ku u theksua angazhimi i VLEN-it për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillim lokal në Gostivar.

