Bekim Sali merr pjesë në premierën e filmit “Parku i Dorës”: Ky film i shton vlerë artit vendor

1 Min. Leximi

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Alternativës, Bekim Sali, ka marrë pjesë sonte në premierën e filmit “Parku i Dorës”, me regji të Sabidin Aliut, një ngjarje që e ka vlerësuar si një përjetim të veçantë artistik.

“Kisha kënaqësinë sonte, së bashku me mikun tim Zeqirija Ibrahimi, të marr pjesë në premierën e filmit ‘Parku i Dorës’,” u shpreh Sali, duke theksuar atmosferën e mbushur me art dhe emocion.

Ai nënvizoi se fabula e filmit sjell në fokus marrëdhëniet ndërnjerëzore, dhimbjen dhe mëshirën – elemente që sipas tij e bëjnë veprën “thellësisht prekëse dhe të ngarkuar me humanizëm”.

Sali vlerësoi veçanërisht paraqitjen e aktores së njohur Teuta Krasniqi, e cila në këtë projekt ka interpretuar së bashku me vajzën e saj, Tara Krasniqi Muharremi.

“Roli kryesor ishte një moment më vete, ku Teuta Krasniqi luajti krah për krah me vajzën e saj, duke i dhënë filmit një dimension edhe më të thellë emocional,” tha ai.

Në përfundim, Sali përgëzoi ekipin realizues dhe regjisorin Aliu për një projekt filmik që, sipas tij, “i shton vlerë artit vendor dhe sjell një histori që komunikon drejtpërdrejt me publikun”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull