Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka reaguar pas konferencës për shtyp të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke thënë se paraqitja e tij e vetmuar tregon për thellimin e krizës së brendshme në parti.
“Fakti që Aliu sot doli i vetëm në konferencë për shtyp, i shoqëruar vetëm nga ‘delçevisti’ Arbër Ademi, tregon qartë për krizën e brendshme partiake me të cilën po përballet,” shkroi Sali në një status në Facebook.
Ai shtoi se nervozizmi i Ahmetit pas dështimit është i dukshëm dhe i pashmangshëm, ndërsa theksoi se gazetarët nuk mund të fajësohen për humbjet e tij politike.
“Së paku, gazetarët nuk janë fajtorë pse Aliu humbi. Ai i humbi zgjedhjet, kontrollin dhe i ‘dogji’ bashkëpunëtorët më të afërt,” theksoi deputeti i VLEN-it.
Në fund, Sali vuri në pikëpyetje nëse BDI-ja do të vazhdojë ta tolerojë, siç tha ai, “dëmin që po i shkakton Ahmeti partisë së tij”.

