Deputeti i Alternativës dhe Koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka folur për jetën e tij në një intervistë për emisionin SummerPastel në TV21.
Sali ka folur për pikëpamjet e tij mbi politikën dhe kyçje në politikë.
Sali ka sqaruar se ndoshta është personi më i apolitizuar në skenën politike.
“Unë, në takime të përditshme, me miq, me dashamir, me njerëz të cilët i njoftoj, shpesh e them ndoshta jam personi më i apolitizuar në skenën politike. Edhe pse i përkas një partie politike, një koalicioni të sotëm, një shumice e cila po qeverisë me qeveri aktuale në vendin tonë. Ende e konsideroj veten se nuk jam i politizuar aq shumë. Edhe pse kanë kaluar njëmbëdhjetë vite që jam aktiv në politikë. Deri në momentin e vendimit për t`u marr me politikë unë kam pasur një aversion për politikën, jo për politikanët. Për arsye se është shumë e vështirë të mbetesh vetvetja. Aty ku duhet çdo ditë të bëni nga dy tre kompromise për të gjetur gjuhë të përbashkët, qoftë ajo për një vendim, për një ligj, për një koalicion, për një bashkëpunim, për të ftuar miq që të kyçen në politikë dhe të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme për banorët e këtij vendi. Duhet të gjeni kompromise në vazhdimësi. Nuk mund të ndaleni. Dhe e kam pasur një bindje se këto persona të cilët bëjnë shumë kompromise, pas një kohe e humbin identitetin e tyre dhe nuk janë më vetvetja. Prandaj shpesh për politikanët thuhet në opinion ka qenë kështu, sot është kështu. Edhe kjo ka qenë një sfidë për mua. E mendoja a mund të futesh në politikë, të bësh kompromise shumë dhe të mbetesh vetvetja. Mos të ndryshosh nga vlerat e tua, nga identiteti yt, nga pikëpamja që të tjerët e kanë ndaj teje. Atë vlerësim e japin të tjerët”, ka thënë Sali.