Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, reagoi ashpër pas sulmit ndaj dy nxënësve shqiptarë nga huliganët në Tetovë, duke e cilësuar incidentin si përpjekje për të nxitur tensione ndëretnike dhe për të manipuluar opinionin publik, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Dënojmë ashpër dhunën ndaj dy nxënësve shqiptarë. Këto raste përbëjnë plagë të vjetra që po tentohen të rihapen me qëllime të ulëta politike. Janë përpjekje të mjerueshme për të nxitur tensione ndëretnike dhe për të manipuluar opinionin publik,” deklaroi Sali.
Ai përgëzoi gjithashtu reagimin e shpejtë dhe profesional të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, që identifikoi dhe arrestoi disa nga sulmuesit e dyshuar. “Ky reagim është sinjal i qartë: shteti nuk do të tolerojë më asnjë formë dhune dhe askush nuk do të shpëtojë pa u përballur me drejtësinë, ndryshe nga e kaluara kur këto raste mbuloheshin dhe harroheshin,” shtoi Sali.
Deputeti u drejtua edhe ndaj atyre që tentojnë të përfitojnë politikisht nga dhuna ndëretnike: “Ata që mendojnë se mund ta përdorin politikisht dhunën ndëretnike për të shpëtuar karrierat e tyre të dështuar, gabojnë rëndë. Shqiptarët nuk mashtrohen më. Por koha e pazareve dhe e mosndëshkimit ka marrë fund. Kjo Qeveri nuk i mbron kriminelët, nuk i përdor incidentet për qëllime elektorale dhe nuk hesht përballë dhunës. Drejtësia do të veprojë.”