Udhëheqësi i Lëvizjes “Arbëria”, Bekim Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj ndikimit të Bashkimit Demokratik për Integrim në qytetin e Shkupit, duke e akuzuar këtë subjekt për degradimin e jetës së qytetarëve dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me forcat proruse dhe proserbe në vend.
“Sa herë t’ju marrë malli për BDI-në në pushtet, ktheni sytë nga qyteti i Shkupit! Prej një jave, një pjesë e Kondovës po qelbet nga erërat e pakëndshme të shkaktuara nga paaftësia BDI-së për të menaxhuar me ndërmarrjen ‘Higjiena Komunale’”, ka shkruar Fazliu në një reagim publik.
Ai ka shtuar se përmes ndikimit në Komunën e Shkupit, BDI po i mban peng lagje të tëra shqiptare si Çairi, që sipas tij, është një vit që jeton nën “terrorizëm institucional”.
Fazliu rikujton raste të rënda politike dhe gjyqësore si “Monstra”, “Sopoti”, lirimi i Gruevskit dhe Mijallkovit, apo projekti “Shkupi 2014”, për të dëshmuar se BDI ka qenë gjithmonë në krah të partive që kanë dëmtuar shqiptarët.
“Ata ishin në pushtet bashkë me VMRO-në për 10 vite, por as në ato 8 me LSDM-në nuk e pengoi BDI-në të punonte për lirimin e Gruevskit dhe Mijallkovit. Edhe sot, ndonëse jashtë pushtetit qendror, janë në aleancë me VMRO-në përmes qytetit të Shkupit”, ka deklaruar Fazliu.
Sipas tij, çdo shqiptar që ka sy për të parë, e kupton lidhjen e pandërprerë të BDI-së me strukturat antishqiptare.