BDI: Zgjedhjet lokale janë referendum për të ardhmen evropiane të vendit

2 Min. Leximi

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë thjesht një garë për qeverisjen komunale, ato janë një referendum politik për të ardhmen strategjike të vendit dhe për orientimin e tij drejt familjes evropiane.
Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se beteja për komunat është betejë për shtetin. Raporti më i fundit i miratuar nga Parlamenti Evropian, me shumicën dërrmuese prej 461 eurodeputetësh nga të gjitha grupimet politike, e konfirmon zyrtarisht se Maqedonia e Veriut po ekspozohet gjithnjë e më tepër ndaj ndikimeve destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, pjesë e projektit gjeopolitik të ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Ky është një alarm serioz për të gjithë qytetarët që besojnë në vlerat euroatlantike dhe në të ardhmen demokratike të shtetit. Nuk kemi më të bëjmë me një qëndrim partiak apo retorikë politike, kemi të bëjmë me një realitet të konfirmuar nga partnerët tanë evropianë.
Për më tepër, në këtë periudhë të qeverisjes pa legjitimitet etnik, vendi ka hyrë në një cikël të rrezikshëm regresi institucional dhe përkeqësimi të marrëdhënieve ndëretnike.
Marrëdhëniet ndëretnike janë dëmtuar rëndë, është rikthyer majorizimi, është shfuqizuar përfaqësimi, janë shkelur të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe është thelluar diskriminimi në institucionet shtetërore. Kjo situatë nuk është vetëm një kthim prapa, por një kërcënim serioz për rendin kushtetues, bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe vlerave evropiane.
Prandaj, BDI kërkon menjëherë inicimin e një hetimi institucional dhe thirrjen e një debati urgjent në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të shqyrtuar në mënyrë të thelluar këtë rrezik që ka kapur orientimin evropian të vendit.
Si forca kryesore politike proevropiane, BDI mbetet e palëkundur në mbrojtje të demokracisë, stabilitetit dhe kursit euroatlantik të shtetit. Këto zgjedhje lokale janë momenti për të vendosur jo vetëm për rrugët dhe shkollat nëpër komuna, por për rrugën që ndjek vetë shteti ynë: rrugën drejt Evropës apo drejt një rruge të errët dhe të rrezikshme lindore.
Çdo votë në këto zgjedhje është një votë për orientimin dhe të ardhmen e vendit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull