BDI: Një vit “rezultate”, por zero respekt për shqipen, diskriminim institucional i papranueshëm nga Drejtoria e Doganave

2 Min. Leximi

Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon publikisht dhe fuqishëm mënyrën skandaloze me të cilën Drejtoria e Doganave shënoi njëvjetorin e udhëheqjes së re, duke përjashtuar në mënyrë të plotë gjuhën shqipe dhe përfaqësuesit shqiptarë nga çdo komunikim, simbol dhe përmbajtje zyrtare.

Marketing

- Advertisement -

Një vit “rezultate”, por asnjë fjalë në shqip. Asnjë tekst, asnjë titull, asnjë zë, asnjë përfaqësim institucional në shqip në një prezantim që, sipas tyre, duhet të pasqyronte suksesin e një institucioni shtetëror, që vepron në një shtet dygjuhësh dhe multietnik.

Kjo nuk është rastësi. Është politikë diskriminuese dhe përjashtuese ndaj gjuhës shqipe dhe qytetarëve shqiptarë. Edhe më shqetësuese është heshtja zyrtare dhe fakti se të gjithë ata që duhej të reagonin, zgjodhën të flasin vetëm maqedonisht.

Nuk mund të quhet përfaqësim i barabartë fakti që zëvendësdrejtori shqiptar është zhdukur nga faqja zyrtare e Doganave, i barazuar me këshilltarë politikë, përfshirë madje një figurë të dënuar nga Gjykata e Hagës.

BDI e konsideron këtë akt si shkelje të rëndë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe mohim të frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe të themeleve mbi të cilat është ndërtuar bashkëjetesa në këtë vend. Simbolet, gjuha dhe përfaqësimi janë pjesë thelbësore e barazisë. Kur ato injorohen, nuk ka bashkëqeverisje, ka dominim dhe përçmim.

- Advertisement -

I bëjmë thirrje Qeverisë, Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, Avokatit të Popullit dhe të gjitha institucioneve të mbikëqyrjes të reagojnë menjëherë. Heshtja është bashkëpjesëmarrje në fyerje.

Është e papranueshme që institucionet publike të kthehen në njëetnike. Kërkojmë përgjegjësi, transparencë dhe kthim të menjëhershëm të gjuhës shqipe në çdo përmbajtje zyrtare të Drejtorisë së Doganave, si dhe përfaqësim të barabartë të zyrtarëve shqiptarë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull